Sërish rekord vdekjesh nga Covid-19 në Rusi

Autoritetet në Rusi njoftuan sot se 852 persona kishin vdekur nga ndërlikimet për shkak të COVID-19 në 24 orët e fundit, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vendin me 146 milionë banorë.

Numri i përditshëm i vdekjeve në Rusi është rritur në mënyrë të vazhdueshme për muaj, veçanërisht në ditët e fundit.

Sipas statistikave zyrtare, numri i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19 në vend është 205 500, megjithëse numri i rasteve të paraportuara vlerësohet të jetë i madh.

Sipas shifrave të fundit, vetëm nën 30 për qind e popullsisë është vaksinuar plotësisht, pavarësisht se Rusia është vendi i parë në botë që prodhoi një vaksinë funksionale kundër koronavirusit të ri, në gusht 2020.