MKRS ndan shpërblimet për Kampionet Olimpike

Sot në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku u ndanë shpërblimet shtetërore për xhudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka.

Këto shpërblime janë të parapara në rregullore dhe ndahen për sportistët që arrijnë rezultate të larta në garat ndërkombëtare.

Ministri Çeku i përgëzoi xhudistet edhe njëherë për punën e palodhshme si dhe sukseset e arritura, ndërsa u shprehu gatishmërinë për përkrahjen institucionale të mëtutjeshme.

Ai gjithashtu u shpreh i lumtur që tashmë kemi Sallën Nacionale të Xhudos, ndërsa bëri të ditur që investimet në të do të vazhdojnë edhe më tutje dhe së bashku me trajnerin Driton Kuka do të punojnë që ky sport të vazhdoj sukseset.

Ndërsa trajneri, Driton Kuka duke treguar që mbrëmë ka pasur stërvitjen e parë në Qendrën Nacionale të Xhudos, falënderoi ministrin Çeku dhe zëvendësministren, Daulina Osmani për përkushtimin që kanë treguar që çdo gjë të përfundoj mirë dhe me kohë sa i përket qendrës. Ai gjithashtu shtoi që është shumë me rëndësi që kanë krijuar një vizion për të ardhmen dhe puna e përbashkët nuk do të ndalet këtu.

Xhudistet, Nora Gjakova dhe Distria Krasnqi u shprehën të lumtura që mundi dhe sukseset e tyre po vlerësohen nga institucionet shtetërore.