Fraksionet në PD, Ristani: Jemi bashkë kundër Bashës, Piciri: Berisha ka ende për të dhënë

Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike kanë sjellë formimin e fraksioneve. Janë tre të tilla, ai i Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe më i fundit u prezantuar dje, iniciativa e Fatbardh Kadillit.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, është pozicionuar me Kadillin. I ftuar në “ABC live”, Ristani tha se pavarësisht se janë disa grupime, të gjithë janë bashkë kundër Lulzim Bashës.

“Për ta bërë PD më të madhe se kryetari. Un në të gjithë këtë tablo, pavarësisht ngjyrimeve të grupeve shoh një qëllim të përbashkët. Shoh që të gjitha lëvizjet janë për tu mbështetur. Unë e shoh PD të bashkuar përveç grupimit që udhëhiqet nga kryetari tradhtar, i pabesë dhe i korruptuar i PD bashkë me një staf të vetin. Të gjithë të tjerët jemi duke qëndruar për parime të njëjta. Jemi të gjithë bashkë kundër Bashës,” tha ai.

Ndërkohë, ish-deputeti i PD, Erion Piciri flet për nevojën e një shkundje të thellë të kësaj force politike. Megjithatë, sipas Picirit, Sali Berisha ka ende për të dhënë, ndërsa thotë se është për principet.

“Nuk është çështje pozicionimi por principesh. Besoj se PD ka hyrë që në 2013 në atë që quhet krizë e liderit themelues. Katër humbje do të dot që pasardhësi nuk u ngrit dot në nivelin e duhur. Ne kemi një rrezik të madh të demokracisë shqiptare. PD ka nisur si parti e lirisë. Ajo që ka ndodhur ndër vite tani është konkretizuar me një krizë demokratike, morale dhe të lidershipit. Duhet një shkundje e kësaj partie. Që PD të mos komprometohet si PS. Ekziston mundësia e zhdukjes së pluralizmit dhe lojërave të nëndheshme të dy kryetarëve. Duhet që me këtë elektorat që bazën e ka te liria duhet të bazohet te liria. Ai që ende i elektrizon sallat patjetër që ka një rol kryesor për të luajtur. Unë besoj se kemi një ringjallje të tretë të Berishës nga amerikanët. Patjetër që ka edhe përgjegjësi. Unë nuk jam me njerëzit, por me principet. Ka mundësi të kthejë PD në të parë parti demokratike në histori. Loja e tij e tretë nuk është çështja e tij, por fati i një partie. Berisha ende ka besueshmëri dhe meqë ka këtë moment historik,” tha ai.