Bie pista ‘Air Albania’, ja ku do të luhet derbi Dinamo – Partizani

Dinamo u rikthye në elitë pas 9 vitesh mungesë dhe tifozët mezi po prisnin derbin e parë të kryeqytetit. Kalendari i ka vënë përballë Partizanin, por kjo sfidë nuk do të luhet në kryeqytet. Edhe ndeshjen e dytë si skuadër pritëse Dinamo do ta zhvillojë në “Elbasan Arena”.

Kjo sfidë është programuar të zhvillohet ditën e premte, në orën 19:45. Klubi blu ka bërë të gjitha përpjekjet që derbi me Partizanin të luhej në “Air Albania”, ku tifozët mund të jenë më të shumtë, por duket se fusha e këtij stadiumi nuk është gati. Pra, pas 9 vitesh pritjeje, tifozët dinamovitë jo vetëm që duhet të blejnë biletën e stadiumit për të ndjekur derbin e parë, por duhet të blejnë edhe biletë autobusi dhe të bëjnë kilometra të shumtë.

Mungesa e infrastrukturës, sa u takon stadiumeve, detyron ekipet të braktisin tifozët e tyre dhe të degdisen në qytete të tjera, si Teuta, Laçi, Teuta, Partizani etj. Mbetet për t’u parë se deri kur do të vazhdojë ky problem me futbollin shqiptar, por është për të ardhur keq që situata është katandisur deri këtu, aq sa tifozët duhet të bëjnë kilometra të tërë edhe për ndeshjet “në shtëpi”.

Pritet që presidenti Bardhi të vendosë në dispozicion të tifozëve autobusë falas, por kjo nuk është zgjidhje. Që çdo ekip të ketë stadiumin e vet dhe të ndiejë ngrohtësinë e tifozëve, besojmë se kjo është zgjidhja më e mirë e kësaj situate e cila është krijuar, që duhet thënë, është absurde. (Panorama Sport)