PD: Shteti po godet bizneset që na mbështesin ne

Partia Demokratike me anë të sekretarit për Biznesin, deputetin Flamur Hoxha ka denoncuar goditjet politike që po bën qeveria ndaj biznesit.

Sipas Hoxhës, qeveria po godet bizneset që mbështesin opozitën.

‘Denoncimet e ardhura në Partinë Demokratike dëshmojnë për një fushatë selektive të qeverisë kundër bizneseve që u deklaruan në fushatën zgjedhore pro ndryshimit dhe dolën në krah të Partisë Demokratike. 

Sot, shumë prej këtyre bizneseve po trajtohen si armiq. Përmes gjobvënies në zyrat e bashkive dhe të tatimeve, po tentohet hakmarrja me presion, nënshtrim, ose falimentim e shumë bizneseve në Tiranë dhe disa prej qyteteve kryesore të vendit. 

Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të ndalojë këtë praktike primitive. Bizneset duhen lënë të qetë të punojnë mes kaq shumë vështirësive që u ka krijuar keqqeverisja e Edi Ramës. 

U bëjmë thirrje bizneseve ta refuzojnë presionin nga kushdo qoftë ai! ‘, tha Flamur Hoxha gjatë deklaratës së tij.