Heshtje kur kërkojmë rivaksinimin 'e kinezes', uljen në moshat 12 vjeç, dozën e tretë...

Kjo qeveri e paaftë arrin në mendimin tonë, por gjithmonë duke çaluar e me shumë vonesë, mbas humbjesh tragjike jetësh.

Nga Tritan Shehu.

Sot Ministria e Shëndetësisë deklaron se po negocion për ardhjen e 500 mijë dozave Pfizer, mundësisht deri në fund të vitit.

Ok, shumë mirë një gjë e tillë, por shumë vonë në kohë, shumë pak në sasi, mbas humbjeve të mëdha jetësh deri më sot dhe një përkeqësimi që pritet prej muajit tetor.

Për kujtesë kemi që nga pranvera e këtij viti që kërkojmë importimin në Shqipëri të vetëm vaksinave të efektshme, të miratuara nga EMA, siç është dhe Pfizer ndërsa qeveria vetëm belbëzoi dhe mbushi vendin me ato kineze të paçertifikuara, gjë që ka krijuar një situatë kaotike e të rrezikshme epidemiologjike.

Kemi deklaruar se Shqipëria ka nevojë minimalisht mbi 5,5 milionë doza vaksinash të çertifikuara për të arritur imunizimin sigurues. Fatkeqësisht Shqipëria sot është në nivelet më të ulëta në botë për numrin e të vaksinuarve me rreth 26% të popullsisë, kur mesatarja botërore ka kaluar 35% edhe me shumicën e të vaksinuarëve tek ne me ato të paefektshmet.

Kjo është gjendja e rëndë aktuale nga kjo qeveri, që as dëgjon, as shikon e as flet.

Dhe kur i vijnë ndopak këto shqisa, i vijnë shumë vonë e vetëm pjesërisht, gjë që vazhdon sepse ndërsa kemi kërkuar rivaksinimin me vaksina të çertifikuara të të gjithë atyre që kanë marrë ato kinezet apo të tjera të ngjashme, qeveria vetëm hesht.

Ndërsa kemi kërkuar uljen e moshës së vaksinimit në 12 vjeç, nga zyrat e qeverisë vjen vetëm heshtje.

Ndërsa kemi kërkuar një strategji të plotë vaksinimi e përfshirjen aty edhe të dozës së tretë….asgjë nga Qeveria!

Për të vazhduar kështu me përgatitjen e sistemit parësor, spitalor edhe në periferi, mbrojtjes së personelit shëndetësor, liberalizimit të laboratorëve e testimeve etj.

Pra për gjithçka që duhet bërë me urgjencë….përpara se të jetë përsëri tepër vonë dhe jo kur kjo qeveri të fillojë të hapë veshët e gojën, si mbas gjumit letargjik.