Luli kreu dy vrasje dhe i hoqi çatinë shtëpisë

Deri dje marrëdhënien Berisha-Basha e shihja siç unë me babain tim. Të sinqertë, të dashur, pa hile dhe pa droje.

Më pëlqente kjo dyshe e në fakt nuk dija kah ta çoja simpatinë. Te Saliu apo te Lulzimi.

Ndaj gjeta zgjidhjen; sot shkruaja e flisja mirë për njërin, nesër për tjetrin. Besoj se si babai me djalin e kanë parë këtë dyshe edhe plot e plot shqiptarë. Se dhe në kasaphanën e 25 prillit, populli edhe pse u vodh non stop, u dha aq vota sa në ndërgjegjen e tyre kampi socialist është i vrarë dhe i frikësuar.

Por ja që nën këtë qiell pa re, Luli doli hapur kundër të “atit”. E tha me plot gojën: “E mohoj, nuk e kam baba!” Deri kur? Deri sa ai ta vërtetojë se nuk është i korruptuar!!!

Një çudi për t’u çuditur. Më gjeni në mbarë globin një fëmijë që nuk beson atin e vet. Më gjeni dikë që kur ia quajnë babain të korruptuar ai beson fqinjin, shefin e punës, krushkun, kolegun, por jo atë që i ka bërë kokën.

Dje Luli nuk bëri gabim. Bëri faj. Ai rëndoi gjendjen e rëndë të Berishës. Mbi malin me shpifje ai shtoi një mal më të madh me padrejtësi.

Secili nga ne gjatë jetës disa herë e ka parë veten në hall. Me vrap kemi shkuar te prindi, kemi qarë problemin. Ai jo vetëm na ka besuar, por është hedhur në zjarr për të na ndihmuar. Halle të tilla ka pasur plot Luli. Nga Rruga e Kombit, 21 janari e plot katër palë humbje zgjedhjesh. Babai i tij, ky Saliu i pa parti sot, e ka besuar në çast dhe ka luftuar që i “biri” të mos gërvishtej nga asnjë cifël presioni, shantazhi, shpifje e denigrimi.

Ndaj nuk thonë kot, Luli fle. Ngaqë ka pasur shpatullat e mbrojtura, ngaqë i ati, Saliu pra, e ka mbuluar që ai mos ftohet nga erërat e politikës së shpifjeve.

Dje Luli kreu dy vrasje. Nuk i besoi “babait” dhe “babain” e nxori nga shtëpia. Nga ajo shtëpi ku Luli deri tani veç ka rrëzuar mure, ende nuk ka vendosur një tullë. Gjasat janë që dje i hoqi e dhe çatinë.

Dimri është para. Me shira e borë.