Brdaric: Na pret një përballje e vështirë ndaj Laçit, por jemi gati të thyejmë tabunë

Vllaznia e nis aty ku e la kampionatin sezonin e kaluar. Shkodranët  përballën me Laçin në Kurbin, aty ku skuadra kuqeblu ka vite të tëra që nuk fiton.

Trajneri gjerman i kuqebluve, Thomas Brdariç doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku tha se skuadra ka entuziazëm dhe uri për të luajtur e bërë mirë në kampionat, teksa shtoi se ka ardhur moment që të thyhet tabuja kurbianse.

Si është atmosfera në skuadër para startit të kampionatit?

Na pret një përballje e vështirë ndaj Laçit, por hapi i parë është arritur, pasi kemi një atmosferë shumë të mirë në dhomat e zhveshjes. Do të na duhet të përshtatim akoma më mirë disa lojtarë të rinj me ekipin tonë, por mendoj se kemi bërë një punë të mirë këto javët e fundit. Jemi në një sezon të ri dhe e dimë se si janë kushtet.

A është gati skuadra për ta nisur mbarë sezonin në Laç?

Mendoj që jemi në rrugën e duhur për të qenë konkurrues në Laç. Fatkeqësisht nuk jemi të plotë prej disa dëmtimeve, por kemi lojtarë të tjerë të uritur për të dhënë gjithçka për këtë skuadër, për t’iu treguar edhe tifozëve të Vllaznisë se çfarë dimë të bëjmë. Ne do të jemi së bashku me tifozët tanë, të gatshëm për të dhënë më të mirën.

A është kjo Vllazni më e fortë se ajo e një viti më parë?

Mendoj se ky kampionat është më i vështirë sesa vjet, por ne do të dimë të bëjmë atë që bëjmë më mirë. Sigurisht që ne duam të përmirësohemi dhe të jemi një ekip më i mirë, por kjo është një lojë dhe jo një luftë. Ne duhet të argëtohemi dhe të jemi gati qoftë fizikisht, qoftë mendërisht për të përballuar një sezon të gjatë.

Transferta kurbinase është kthyer në një tabu për Vllazninë…

Është koha e duhur për të pasur një ndryshim. Në Shqipëri është si zakon që ekipet që luajnë në transfertë e kanë të vështirë të thyejnë vendasit, por për mua e rëndësishme është që bërthama të jetë mirë dhe të thyejmë atë tabu. Unë besoj se do të kthehemi me tri pikë në Shkodër.

Cilat janë objektivat e Vllaznisë këtë sezon?

Ne duhet të arrijmë të zhvillohemi së bashku. Duhet bëjmë gjithçka më mirë, të kemi kushte më të mira në të gjitha aspektet. Unë kam besim te zoti Xhaferi pas privatizimit të klubit dhe besoj se do të jetë rruga e duhur për të ecur përpara.