Firmoset marrëveshja, Kategoria Superiore do të quhet 'Abissnet Superiore' për 3 sezonet e ardhshme

Në ambientet e stadiumit “Air Albania” u firmos një marrëveshje 3-vjeçare mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kompanisë së internetit Abissnet, që do të jetë sponsor i Kategorisë Superiore. Kjo kompani u shpall fituese më 3 qershor, pas ankandit për shitjen e emrit të këtij kampionati, pasi paraqiti ofertën më të mirë.

Kjo marrëveshje e rëndësishme, e lidhur mes institucionit të vetëm të futbollit në vend dhe kompanisë së internetit ka si qëllim të sigurojë të ardhura shtesë për klubet e futbollit dhe që është bërë në shembullin e kampionateve më të mira europiane.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i kompanisë “Abissnet”, Koço Kokëdhima, presidentë dhe përfaqësues të klubeve të Kategorisë Superiore si dhe përfaqësues nga media.

Presidenti Duka i uroi suksese kompanisë Abissnet në këtë rrugëtim të ri. “Sot në këtë event firmoset një marrëveshje e rëndësishme për Kategorinë Superiore Shqiptare që nga sot do të quhet Abissnet Superiore. Ky është rezultat i vetë Ligës Profesioniste, që dha frytet e para pas krijimit të Ligës, arritjen e kësaj marrëveshje, me një nga kompanitë më të rëndësishme të shpërndarjes së internetit në Shqipëri, Abissnet”.

Kjo përkon edhe me hapjen e sezonit të ri futbollistik, që nis sot, me ndeshjen e parë ceremonial Teuta-Partizani në Elbasan Presidenti i Abissnet, Koço Kokëdhima, në fjalën e tij u shpreh se morën këtë vendim për t’u futur në ankand për të blerë emrin e Kategorisë Superiore, pasi kompania ka vlerësuar punën e vazhdueshme të klubeve të futbollit dhe rritjen e këtij kampionati.

“Falënderoj Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për të gjithë kontributin e tij në zhvillimin e futbollit shqiptar në përgjithësi dhe për zhvillimin e futbollit të Kategorisë Superiore në veçanti. Abissnet ka konstatuar dhe ka vlerësuar se emri dhe niveli i futbollit të Kategorisë Superiore në Shqipëri është rritur falë përpjekjeve shumë të mëdha dhe kontributit të posaçëm të presidentëve të këtij kampionati, nën drejtimin dhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit”.

Abissnet Superiore do të nisë rrugëtimin e saj që sot, me ndeshjen e parë hapëse që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, Teuta – Partizani.