Sondazhi/ 71% e demokratëve kundër Bashës dhe pro Berishës

Shumica e votuesve të PD-së nuk e donin largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar. Përkundrazi ata kërkonin që PD ta mbështeste Berishën në çështjen me SHBA-në.

Këto janë rezultatet e një sondazhi që u krye në nivel kombëtar në bazë të 1 mijë intervistave nga data 10 deri më 28 gusht

Sondazhi i Euronews Albania dhe MRB tregoi se 71.2% e votuesve të PD nuk e mbështesnin përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i demokratëve – 12.8% e mbështesnin, 12.4% ishin në mëdyshje, 3.6% dhanë përgjigje ‘nuk e di’.

Të pyetur se sa dakord janë me thënien ‘PD duhet ta mbështesë Sali Berishën’, 58% e votuesve të PD-së u përgjigjën po, 28.4% jo dhe 10% ishin në mëdyshje ‘as po as jo’.

Ndryshe u përgjigjën personat që më 25 prill zgjodhën të mos votojnë dhe që për këtë mund të konsiderohen si ‘elektorati gri’.

Shumica e tyre (56.5%) ishin kundër një mbështetjeje të PD-së ndaj Berishës edhe pse në rastin e largimit apo jo të tij prej grupit parlamentar ishin të dyzuar – 21.4% u përgjigjën ‘nuk e di’, 12.6% ‘jo’ dhe 9.5% ‘po’.