Rishfaqet Petro Koçi, akuzon se ka ministra të korruptuar: SPAK të hetojë

Deputeti socialist Petro Koçi është rikthyer sërish në skenë me akuza për korrupsion brenda llojit. Koçi ishte i ftuar pasditen e sotme në emisionin “Top Talk” në top Channel, ku foli për situatën e kriminalitetit në vend dhe sa i lidhur është ai me politikën.

Koçi u shpreh se Në Partinë Socialiste duhet të ketë ministra që janë të korruptuar dhe për këtë arsye edhe shpesh herë ka pasur lëvizje apo largime të tyre. Sipas tij SPAK-u duhet të hetojë kriminalitetin në vend.

"Nuk jemi në një situatë ku na kontrollon krimi, por ekziston dhe në vende të caktuara është shumë i fuqishëm. Në vende të caktuara ndërveprimi i institucioneve ligjzbatuese duhet të jetë më i fortë. Për mua i gjithë truri i policisë është policia kriminale, që na duhet më e fuqishme dhe duhet të funksionojë me shërbimet informative vendas dhe ato të huaja. Krimi i këtyre formave të rënda si trafiku i drogës, me protagonistë nga Shqipëria është përhapur në të gjithë kontinentin dhe kjo është një premisë negative".

I pyetur se a ka ministra të korruptuar, Koçi tha: "Po edhe mund të ketë. Fakti që ka ministra që janë shkarkuar dhe janë lëvizur tregon që kanë pasur probleme".

Kujtojmë se para disa kohësh ai akuzoi se krimi kontrollon Bashkinë e Fierit.