Vrasja e politikanëve në Pejë, Ademi: Në këtë qytet ekziston kodi kanunor, mungon besimi te drejtësia

Redaktori i Kallxo.com, Kreshnik Ademi, në një intervistë në Syri Tv me moderatoren Armela Ferko, ka folur për vrasjen e dy politikanëve në Pejë.

Ademi thekson se në Pejë ekziston ende Kodi Kanunor, duke shtuar se mungon besimi i qytetarëve tek drejtësia.

“Mbrëmë i ndaluari është marrë në pyetje dhe ai ende nuk ka dhënë motivin pse ka ndodhur vrasja. Rasti ka ndodhur para shtëpisë së Ademajt. Nuk dihet arsyeja, ende Prokuroria nuk ka dhënë versionin e saktë të përplasjes me armë. Familja Ademaj ka qenë në shtëpinë e vet, ndërsa ka ardhur një person ka ardhur nga komuna afër ajo e Deçanit.

Peja është ndër vendet ku ka probleme me vrasjet, për shkak të kodeve kanunore, ka pasur incidente të shpeshta. Një prej armëve ishte me leje. Kjo vjen si pasojë e faktit se qytetarët nuk kanë besim tek organet e sundimit të ligjit, kjo se një çështje ligjore zgjat më shumë se tetë vjet e njerëzit nuk presin dot drejtësinë kaq gjatë e nxjerrin armët. Është krijuar klimë, që njerëzit nuk ndëshkohen për atë që ndodh në këtë zonë. Kjo tregon se në Kosovë ka probleme me sigurinë publike. Nuk është njohur se ka pasur përplasje mes dy familjeve, njerëzit e përfshirë nuk kanë të kaluar kriminale”, deklaroi Ademi.