Lidhini qentë Besiana Kadare!

Në gjuhën shqipe përftimi i çmendurisë është një nga më të pamëshirshmit. Mendja përfytyrohet shpesh si diçka që do të dalë nga kafka, gati-gati si një bishë e lidhur, më së shumti qen, që preket të shkallmojë vargonjtë. Ndaj dhe shprehjet ‘ mblidhi mendtë’, aq shumë e afërt, me ‘ lidhi qentë’, ose ‘ thirri mendjes’ të çojnë tek ky përfytyrim.

Shkëputur nga- Mosmarrëveshja- Ismail Kadare

Besiana Kadare, duhet të mblidhni mendtë, pasi ndonëse keni mbiemrin Kadare, nuk mund t’i trajtoni shqiptarët si njerëz të sëmurë nga verbëria mendore.

Të dalësh krah Erion Veliajt dhe t’ua servirësh shqiptarëve si njeri vizionar dhe energjik, duhet të jesh ose e verbër nga trutë ose e kthjellët prej interesit.

Tirana që ju pretendoni se do të shpallet Kryeqytet i Rinisë në vitin 2022, është një qytet krejt i betonizuar dhe i shkatërruar dhe brenda këtij qyteti mund të ndiesh gjithçka veç freskinë që pretendoni ju, nuk mund ta ndiesh.

Që mbiemri Kadare ju ka shërbyer shumë shpesh si pasaportë për të tjetërsuar të zezën në të bardhë në shumë situata në jetë, për këtë nuk kultivoj më të voglin dyshim, por këtë herë është nga të paktat raste që mbiemri nuk ju hyn punë.

Nuk ju hyn në punë se kullat çajnë shikimin e çdo banori në Tiranë.

Nuk ju hyn në punë se analfabeti dhe rrugaçi që keni në krahë e shfaq paditurinë dhe rrugaçërinë e tij çdo çast që komunikon me qytetarët e këtij vendi.

Ndaj Besiana Kadare nëse mendoni se me shfaqjen tuaj pranë Veliajt, do t’i mbushni mendjen shqiptarëve se ai është vizionari dhe energjiku, atëherë gaboheni rëndë.

Shfaqja juaj pranë Veliajt dëshmon veçse paaftësinë tipike të një individi për të parë përtej vetes. Kjo është tragjike për një individ që ka prekur dhe ka jetuar në botën e qytetëruar, pasi tregon qartazi se nuk keni brendësuar dhe nuk keni asimiluar asgjë nga vlerat e mirēfillta të qytetarisë.

Post Scriptum- Kryeni veçse aktin e frymëmarrjes dhe frymënxjerrjes në botën e qytetëruar, pasi mendimi juaj duket krejt i largët dhe krejt i huaj nga kjo botë.