Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar: Alarm në bord prej tymit
Alarmet u ndezën në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar pasi ekuipazhi raportoi tym dhe erën e plastikës së djegur.
Incidenti u përqëndrua në modulin Zvezda të ndërtuar nga Rusia, i cili siguron hapësira jetese, raportojnë mediat ruse.
Stacioni i vjetër i hapësirës ka pësuar një numër difektesh gjatë viteve dhe një zyrtar rus paralajmëroi kohët e fundit për pajisjet e vjetruara dhe sistemet e dështuara.
Këto përfshijnë rrjedhjet e ajrit, motorët e prishur dhe çarje.
Agjencia hapësinore ruse, Roscosmos, tha më vonë se të gjitha sistemet ishin kthyer në normalitet.
Tymi u zbulua gjatë rimbushjes së baterive të stacionit, tha agjencia, dhe ekuipazhi tani ishte kthyer në "stërvitjen e rregullt".
Era e djegur e plastikës u raportua se ishte përhapur nga pjesa ruse në segmentin amerikan.
Dy kozmonautë rusë janë vendosur të kryejnë punën në modulin shkencor Nauka të dorëzuar së fundmi.
Zyrtari rus Vladimir Solovyov u tha mediave shtetërore më 1 shtator se ISS mund të pësojë dështime të pariparueshme për shkak të pajisjeve të vjetëruara.
Të paktën 80 përqind e sistemeve të fluturimit në segmentin rus e kishin kaluar datën e skadimit, tha Solovyov, kryeinxhinier në kompaninë hapësinore Energia, për mediat shtetërore. Energia është zhvilluesi kryesor i moduleve të ISS të Rusisë.
Ai gjithashtu tha se çarje të vogla ishin zbuluar në pjesën e ngarkesave ruse Zarya dhe ato mund të përkeqësohen me kalimin e kohës.
ISS u ndërtua në 1998 si pjesë e një projekti të përbashkët midis Rusisë, SHBA, Kanadasë, Japonisë dhe disa vendeve evropiane e ishte projektuar fillimisht për një jetëgjatësi 15-vjeçare.