Borxhi i Juventusit arrin shifrën rekord...

Situata me COVID-19, por edhe dështimet në turnetë që vlejnë më shumë si Liga e Kampioneve e Seria A, ka bërë që gropa e thellë e borxheve të Juventusit të rritet në mënyrë të frikshme, Bilanci i vitit financiar 2020-2021, po shkon drejt një rekordi të frikshëm për çdo klub.

Sipas mediave italiane, në bazë të përllogaritjeve që janë bërë deri tani, Juventusi ka pësuar një humbje prej të paktën 191 milionë eurosh. Të dhënat nuk janë zyrtarizuar ende nga klubi bardhezi, por kjo është përllogatritja të cilës mund t’i shtohen edhe zhvlerësimet e pësuara nga shitjet e Romero dhe Ronaldo, nën atë që cilësohet si çmimi i tregut të këtyre futbollistëve.

Nga këto humbje bëhet e qartë se pse Juventusi hoqi dorë me shpejtësi nga Ronaldo dhe u mundua në çdo mënyrë që të sistemonte çdo futbollist të cilin Alegri nuk e shihte si parësor në planet e tij. Nëse konfirmohen nga bordi i klubit që mblidhet javën e ardhshme, këto të dhëna do të shkatërronin praktikisht rekordin negativ të mëparshëm të Juventusit. Ai ishte vendosur në sezonin 2010-2011 dhe ishte vetëm 95 milionë euro humbje.