Trafiku i kokainës/ Shqiptarët përmenden 54 herë në 27 faqe raport të Europol

Shqiptarët kryesojnë raportin 27 faqe të Europol për trafikun e lëndëve narkotike. Në raportin e shkruar, shqiptarët përmenden plot 54 herë në 27 faqe. Sipas raportit, duke filluar nga viti 2012 grupet shqiptare kanë fuqizuar rolin e tyre në portat kryesore në Amerikë të Jugut dhe Evropë. Gjithashtu dhe në shumë shtete të tjera janë grupet e dyta më të forta të trafikimit të lëndëve narkotike.

Nga SYRI TV

Europol ka publikuar një raport 27 faqe rreth trafikut të kokainës ku shkruhet se duke filluar nga viti 2012, grupet shqiptare të trafikut të lëndëve narkotike kanë arritur të forcojnë rolin e tyre me ndikim në  në portet kryesore si në Amerikën e Jugut ashtu edhe në Evropë.

Në këtë raport tregohet dhe angazhimi i shqiptarëve në shpërndarje në Gjermani, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar edhe Australi.

Shqiptarët përmenden 54 herë gjatë raportit, duke shënuar një rekord.

Sipas këtij raporti, në periudhën 2018 -2020 shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të personave të arrestuar në Europë në operacione ku është kapur kokainë. Të dytët vijnë shtetas nga Brazili dhe më pas kolumbianët.

‘Që nga viti 2010, Italia, Gjermania dhe Belgjika kanë identifikuar shqiptarët në mesin e dhjetë kombësive të para të individëve të sjellë në kontakt zyrtar me policinë për kokainë.  Vende si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore por në vitet më të fundit një rol të tillë është raportuar edhe nga Austria, Bullgaria, Greqia dhe Zvicra.

Italia gjithashtu identifikoi grupet shqiptare si më aktive, që nga viti 2018, midis grupeve të huaja të përfshira në trafikimin dhe shpërndarjen e drogës, dhe vlerësoi se këto grupe bashkëpunojnë me organizatat vendase në këtë drejtim. Në vitin 2018, Italia gjithashtu regjistroi një rritje të kokainës së kapur në rrugë tokësore drejt Shqipërisë’, shkruhet në raport.

Në raportin e EUROPOL thuhet se Belgjika dhe Holanda janë portat e kokainës në Europë. grupet shqiptare të trafikut të kokainës kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me shpërndarës në Amerikën Latine dhe tashmë kanë rrjetet e tyre të shpërndarjes me shumicë në Europë. Autoritetet gjermane vlerësuan se 29 nga 31 grupet e dominuara nga shqiptarët të zbuluar në vitin 2019, merren me trafik droge. Ky është numri i dytë më i lartë pas gjermanëve. Gjithashtu  dhe në Greqi grupet kriminale të kokainës renditen shqiptarët pas atyre grupeve greke.