Kokaina nga Ekuadori në Durrës/ Të gjithë kontenierët dyshohet të kenë drogë

Futja e sasisë së kokainës në zonën frigoriferike të kontejnerit dhe në sasi të vogla duket se është një zgjedhje e trafikantëve në mënyrë që lënda narkotike të nxirret edhe pa u tërhequr kontejneri nga Porti i Durrësit. Dyshimet lidhen më rastet e përsëritura që po hetohen tashmë nga SPAK për episodet e goditura në ngarkesat e kompanisë ‘Alba Exotic Fruits’.

Nga SYRI TV

Sasia e kokainës prej 7.7 kilogramë gjetur në kontejnerin e ‘Alba Exotic Fruits’ të martën ishte në një ngarkesë të porositur më herët nga kjo kompani dhe gjatë kohës që po kryheshin operacione në Shqipëri hetuesit thonë se ka qenë rrugës.

Nuk dihet nëse ka ngarkesa të tjera të porositura, megjithëse burime nga SPAK thonë se në të gjitha rastet kontrollet e tyre do të kryhen në vazhdimësi të operacionit, kjo për shkak të dyshimeve se kjo është një nga linjat e konsoliduara të trafikut të kokainës nga Ekuadori për në Shqipëri e cila ka të paktën që prej vitit 2019 që operon.

Dyshimet se kokaina është sjell nga një grup kriminal në sasi të vogla me qëllim që të tërhiqeshin edhe në ambientet e Portit, pa iu nënshtruar ende kontrolleve është ngritur për shkak të formës së trafikut dhe organizimit, ndërsa SPAK nuk ka emra të tjerë personash që mund të jenë të implikuar.

Bajron Gumeni dhe Eduart Dalipi janë vënë në lupën e hetuesve, ndërsa veprimet hetimore paraprake, vëzhgimet dhe përgjimet e bëra ndaj të afërmve të tyre nuk prodhuan të dhëna të tjera.