Mançini i shqetësuar për sulmin, mungojnë golat

Edhe pse Italia vendosi rekordin absolut të 36 ndeshjeve pa humbje, Roberto Mancini ka nisur të reflektojë për një sërë çështjesh shqetësuese, të cilat nuk po marrin përgjigjen e duhur në fushën e lojës.

Sulmi është pika kryesore ku trajneri është fokusuar, sepse është e vërtetë që Italia është rikthyer të ëndërrojë e të luajë një futboll të bukur argëtues, por vlen gjithashtu të theksohet se “të kaltrit” nuk fitojnë një ndeshje brenda 90 minutave që prej 2 korrikut ndaj Belgjikës në çerekfinalet e Europianit.

Më pas katër barazime radhazi, që nuk e penguan Italinë të ngrejë lart trofeun e kampionit të Europës, por vetëm falë saktësisë te pika e penalltisë.

Mbi të gjitha, kampionëve të Europës u mungojnë golat, pasi kanë shënuar vetëm tre herë në katër ndeshjet e fundit dhe përveç Chiesës, që ka dërguar dy herë topin në rrjetë, pjesa tjetër kanë stonuar.

Sytë e kritikës drejtohen kryesisht nga Ciro Immobile, që te Lazio vijon të shkëlqejë e të shënojë rregullisht, por shndërrohet totalisht sapo heq bluzën bardhekaltër dhe vesh atë të përfaqësueses italiane.

Sulmuesi nuk shënon që prej 16 qershorit, ndaj Zvicrës në fazën e grupeve të Europianit, ndërsa alternativa ndaj tij, Belotti po vuan dëmtime të shpeshta dhe të tjerë si Raspadori, Kean e Scamacca nuk janë ende gati të udhëheqin ekipin me golat e tyre.