'Shembja e Teatrit më 17 maj 2020, goditje e drejtpërdrejt në zemër të demokracisë'

Nga Jorida Tabaku.

Një vit më parë në mesin e pandemisë një shtet i paskrupullt shembi me dhunë godinën historike të Teatrit Kombëtar, dhunoi qytetarët që ishin në mbrojtje të asaj godine, nuk respektoi asnjë kërkesë të drejtuesve të BE-së dhe miqve ndërkombëtarë të Shqipërisë që kërkuan maturi.

Dhuna totalitare goditi në zemër të qytetit një godinë që ishte simbol i rezistencës dhe gjithashtu një simbol i luftës për të ruajtur një farë identiteti të qytetit që humbet dhe zhduket përditë. Një vit pas kësaj ngjarje të turpshme dhe tërësisht kriminale nuk kemi asnjë përgjegjës për parregullsitë ligjore dhe proceduriale në kalimin e pronësisë së godinës nga qeveria tek bashkia.

Nuk ka asnjë peshë morale që të rëndojë mbi aktin kriminal të shembjes antiligjore të godinës.

Në të vërtetë ngjarja e 17 majit 2020 ishte një akt i pastër i dhunës që ushtron një qeveri e kapur dhe e zënë në faj karshi qytetarëve të saj. Një goditje e drejtë për drejtë në zemër të demokracisë së një shoqërie që ende pas 30 vitesh përpiqet me mish e me shpirt të pluskojë në demokraci.

Si opozitë jemi zotuar për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarje. Do të ndjekim me vëmendje gjithçka që do ndodhë në vijim edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por, akti kriminal dhe totalitar që kreu Rama një vit më parë ishte tregues i gjendjes dhe kllapisë ku kanë rënë institucionet shtetërore që ende sot nuk kanë një fajtor.