U kap me kokainë, efektivi i RENEA-s: I mora në makinë rastësisht

Zbardhet dëshmia e efektivit të RENEA-s Xhulio Liçi, i cili u arrestua pak ditë më parë pasi u kap me 1 kg kokainë. Xhuljano Liçi është shprehur se nuk ka lidhje me drogën, ndërsa thekson se gjatë kthimit nga Fieri për në Tiranë ka marrë një pasagjer rrugës

“Jam efektiv i policisë dhe po udhëtoja nga Fieri drejt Tiranës. Përgjithësisht rrugës së kthimit marr njerëz. Në zonën e Plepave një person ngriti dorën dhe unë e mora në makinë. Me vete kishte një pako që e vendosi në bagazh”– kjo ka qenë dëshmia e Xhuljo Liçit.

Kurse Dedë Nimani ka pranuar akuzën, ndërsa ka pohuar se ‘shet drogë për të jetuar’. Por sipas Nimanit efektivi i RENEA-s Xhulio Liçi nuk ka asnjë lidhje me drogën e kapur pasi ka hipur në makinën e tij rastësisht për të ardhur në Ndroq ku do të takonte taksistin e tij Luan Gaçin.

“Luan Gaçit i thashë të më priste në rrugën e Ndroqit, hipa në një makinë të rastit. Pakon e kokainës e futa në bagazh se mos e dallonte shoferi, të cilit nuk ia mësova dot emrin. Në rrugën e Ndroqit zbrita për të hipur në makinën e Luanit, shoferi nxori pakon nga bagazhi. Shes drogë për të jetuar”, mësohet të ketë deklaruar Nimani para hetuesve.