Titulli larg, por Vllaznia nuk heq dorë

Rikuperimi i pesë pikëve nga kreu në 3 ndeshjet e mbetura, më shumë se sa një ide ngjason me një utopi dhe ndonëse në Shkodër tifozët mund të luten për një mrekulli, shpresat për titull janë realisht të vakëta, me pengun se mund të kishin menaxhuar më mirë atë distancë prej 9 pikësh nga ndjekësit kur kryesonin kampionatin.

Megjithatë ajo është e kaluara dhe për ta bërë të bukur të ardhmen, ju duhet ende të djersijnë shumë. Kanë shansin për ta mbyllur sezonin me një trofe, Kupën e Shqipërisë në finalen me Skënderbeun, e duke qenë se formacioni korçar ka marrë konturet e skuadrës së momentit, Europën duhet ta kërkojnë deri në fund edhe nga kampionati, për të mos rrezikuar të dalin duarbosh në fund të sezonit.

Kalendari është impenjativ, pasi presin në “Loro Boriçi” Kastriotin që shkon aty me bindjen se luan finalen e sezonit dhe pastaj Partizani e Laçi, rivalë direktë. Ndeshje ku Vllaznisë i duhet një sforco e fundit, e mbi të gjitha, golat e sulmuesve.

Ndaj Bylisit shënoi të parin Avdiaj, për fatin e Brdariç që shikon Ardit Hoxhaj e Haris Dilaver, që kanë ulur ndjeshëm ritmin pikërisht në fazën më të rëndësishme të kampionatit. Gola për t’u rigjetur dhe një shqetësim edhe për mbrojtjen në ndeshjen e radhës, ku Brdariç nuk do të ketë në dispozicion Mevlan Adilin, ashtu si edhe Kalezië, pasi të dy kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë në sfidën me Bylis.