Greqi/ Grabitësit e lanë burrin për të vdekur, hetimet mbi shqiptarët

Grabitësit barbarë që vranë 20-vjeçaren në Greqi kanë lënë thuajse pa ndjenja edhe bashkëshortin e saj 32-vjeçar. Mediat greke bëjnë me dije se ai ishte lidhur me shirit izolues, dhe kishte pasur një kënd të vogël shikimi, gjë që i ka shpëtuar atij jetën duke u drejtuar drejt komodinës për të lajmëruar policinë.

Shiriti ishte vendosur përreth qafës dhe syve me qëllim për të shkaktuar mbytje. Në momentin kur autoritetet mbërritën në vendin e ngjarjes, ai ishte zbehur në të gjithë fytyrën dhe mund të kishte ndërruar jetë nëse nuk do ishte zgjidhur në kohë.

Kjo sipas mediave greke, tregon se ata menduan se 32-vjeçari kishte vdekur ose do të vdiste gjatë arratisjes së tyre.

Hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë kanë përparuar dhe tashmë policia greke ka dyshime se autorët mund të jenë tre anëtarë të një bande shqiptaro-greke, të cilët dhunojnë dhe lidhin viktimat e tyre. Ata veprojnë në zonën perëndimore të vendit dhe arratisen duke ndjekur një rrugë të fshehur duke shmangur bulevardet ku mund të pikasen nga kamerat e trafikut.

Pritet që në orët e ardhshme rezultatet e ekspertizës në vendin e ngjarjes të hedhë më shumë dritë mbi autorët. Ndërkohë ditën e sotme nëna e re 20-vjeçare do të përcillet për në banesën e fundit në Alonissos rreth orëve të mesditës.

Dyshimet janë se banda e zgjodhi shtëpinë e Babis Anagnostopoulos dhe Karolinës në mënyrë rastësore dhe pasi i vëzhguan për disa ditë, ata regjistruan çdo hap të pronarëve përpara se të bënin hapin final të planit të tyre.