'Fitorja e Taulant Ballës i dedikohet ujkut të kokainës dhe votave'

Fitoren e Taulant Ballës në zgjedhjet e 25 prillit, duke tejkaluar dy herë edhe vetë Kryetarin e tij të PS-së, ish-Kryeministri Sali Berisha ia dedikon “ujkut të kokainës”, Mehmet Grecës.

Famëkeqi Mehmet Greca, që u kap me 5 milionë paund kokainë në Angli, qe së fundmi në epiqendër të vrasjes që tronditi Elbasanin para zgjedhjeve. Që prej asaj dite, ai doli nga hija ku ushtronte veprimtarinë edhe politike në Elbasan, në mbështetje të Taulant Ballës, kreut të Grupit të PS-së dhe arriti të bëhej i njohur brenda dhe jashtë kufijve me deklaratat që dha në media për aferën e votave që përfundoi me një viktimë.

Për këtë personazh të drejtësisë ndërkombëtare, krah i djathtë i Ballës në këto zgjedhje,  Berisha shkroi sot: “Mehmet Greca nuk është vetëm ujku i kokainës, por dhe i votave! Tejkaloi dy herë vetë Ramën!”.

Më tej, citon titujt më të freskët të mediave: “I përfshirë në ngjarjen e Elbasanit, njeriu që bën fushatë për Taulant Ballën, i dënuar për 5 milionë paund kokainë në Angli”.