Zbardhet plani i Ramës pas humbjes: Qeveri teknike jo partiake, Luca i peshkut kryeministër!

Pas një fushate diversante, duke hedhur tymnaja për një bashkëpunim me Lulzim Bashën pas zgjedhjeve, Edi Rama mbrëmë te ‘Opinion’ dha disa detaje më shumë për këtë plan-ide.

I pyetur nga Blendi Fevziu se çfarë nënkupton më konkretisht me këtë ‘bashkëpunim’, Rama deklaroi se nëse ai nuk arin që të ketë numër të qartë votash për ta bërë qeverinë vetë, ai do të largohet. Por se ku, si dhe nga çfarë do të largohej Rama refuzoi që të përgjigjej. Ideja ishte që nëse humbet zgjedhjet, ai ka një projekt tjetër përtej partive.

Pas kësaj Fevziu tregoi se kishte zëra për një plan që po lobohej nga ndërkombëtarët me Ramën dhe Bashën (Gjermanët-tha ai), që pas zgjedhjeve të kishte një tip qeverie teknike përtej PD-së dhe PS-së.

Dhe faktikisht sa më shumë që afron 25 prilli, aq më shumë Edi Rama nëpërmjet mediave pranë tij dhe në ‘Opinion’ po përhap zërat për krijimin e një qeverie teknike 2-vjeçare, e cila do të hapte zyrtarisht negociatat për BE dhe do të përmbyllte Reformën në Drejtësi. Por kjo qeveri nga ana tjetër nuk do të prekte asgjë nga projektet, koncesionet dhe gjithë punët në miliarda që ai ka lënë përgjysmë.

Duket se jo vetëm sondazhet publike, por edhe ato që bën vetë Partia Socialiste, e nxjerrin një fitore të Edi Ramës të pamundur. Shpresa e vetme është që rezultati të jetë kokë më kokë dhe asnjë nga palët, të mos mundet që të bëjë dot qeveri. Në këtë moment futet në zbatim plani që po reklamohet gjithandej: Qeveri 2-vjeçare teknike, për atdheun dhe pa simbole partiake.

Kjo do të amnistonte Ramën dhe do ta mbante atë në lojë, deri sa të rikuperojë imazhin dhe të mbledhë forcat për zgjedhjet e reja.

Nëse deri mbrëmë në darkë dukej si një plan dëshiror, këtë të premte vetëm pak orë përpara mbylljes së fushatës së partive, ai është shpalosur nga biznesmeni, ‘ortak’, përfitues i madh dhe mik i ngushtë i Ramës, Gjergj Luca i peshkut.

Luca ka mbledhur disa dhjetëra fshatarë që ka punësuar te biznesi i tij në Elbasan dhe iu ka mbajtur një fjalim të gjatë, duke shpalosur edhe planin e Edi Ramës për një qeveri përtej PD-së dhe PS-së.

 Në fjalimin e tij që në pamje të parë duket qesharak, Luca bën thirrje që qeveria e ardhshme të mos ketë flamujt e dy partive që po garojnë, por vetëm atë kombëtar, kuq e zi.

‘Më ka ardhë ky demokrati që mban flamurin e vet dhe flamurin tim bashkë me këtë zotërinë që është kryeplak dhe mban flamurin e PS që edhe flamuri i PS është flamuri im dhe më kërkuan para ca kohëve për të bërë fshatçe një rrugë. Është kështu apo jo? Kemi marrë çimenton, kemi marrë hekurin dhe unë u kam thënë ka një kusht kjo puna, mund të dalim të gjithë të djathtë e të majtë për të bërë këtë rrugën?’, nis fjalimin përpara fshatarëve Luca i peshkut.

Pasi i thonë me kokë ulur që ‘po e bëre rrugën’, Luca vazhdon me planin e Edi Ramës për një qeveri pa flamuj. Dhe pavarësisht se në videon e mëposhtme Luca flet pa letër, duket se tekstin e shkruar nga Rama e ka mësuar, jo edhe aq keq.

Ju drejtohet fshatarëve me të njëjtat fjalë dhe terminologji që kryeministri po përdor, që kur i bëri thirrje Lulzim Bashës për bashkëpunim pas zgjedhjeve.

‘O ky vend do iki në drejtim të paditur, o do t'u kthehemi prapë historive të qenve dhe horrave që i kanë të dy këta flamuj’, thotë Luca duke modifikuar vetëm pak sloganin më të ri të Ramës.

‘Tani a ka ndonjë flamur shqiptar këtu se s’jam t'u marr vesh gjë? Eee? Si gjithmonë, si gjithmonë, tashi ky flamur kaq i vogël që e mban ai fëmijë në dorë, po se duhet me qenë ky flamur më i vogël sesa ai flamuri që mban ai miku im demokrat në dorë dhe e mban këtu? A duhet me qenë ky flamur më i madh apo këto flamur partish? Këto flamuj partish për ca punojnë? A punojnë me e zvogëlu këtë? Apo punojnë për ta rrit? Për ca punojnë këto parti?

Ore faleminderit 100 herë po unë punoj për këtë flamur. Për këtë flamur. Për këtë Shqipni. Unë nuk punoj për ata flamuj. Unë e mbaja dorën më lart se ai i PD. Dakord? E kam mbajtur dhe kët flamurin në dorë. Po as i ka pakësuar mbajtja e flamurit tim horrat të PD, as i ka pakësuar horrat te PS, dakord?... Që ky vend o do ndahet nga këta flamuj këtë radhë dhe të ngrejë flamurin e punës dhe të vertetës, o ky vend do iki në drejtim të paditur do kthehemi prapë të historive të qenve dhe horrave që i kanë të dy këta flamuj…. Unë kam ardhur këtu me ju kërku votë për këtë Flamur. Me ju kërku për mos me e shit votën tuaj. Por me ju kërku mos me ndëgju këta horra. Por me dëgju shpirtin tuaj për me nigju të vërtetën, me pas forcë me e pa të vërtetën në sy. Dhe e vërteta është puna. Nuk është asgjë tjetër. Dhe ky vend ka për tu bë dhe ta mbaj lart këtë flamur gjithë jetën vetëm duke besuar të vërtetën, duke pranuar të vërtetën dhe duke punuar, dhe jo me prralla dhe me rrena. Për kët mesazh kam ardhur. Nuk kam ardhur për ndonjë mesazh tjetër’, ka mbyllur fjalimin dhe fushatën Gjergj Luca për një qeveri teknike, pa PS e PD.

Meqenëse Luca u zgjodh që të ishte ai që do të hapte fushatën për këtë lloj qeverie, me shumë gjasa kryeministër do të jetë po ai. Kurse për ministra, Rama i ka gati ata 10-15 oligarkët që nuk kanë lënë troje, koncesione, punë publike e tendera pa marrë gjatë këtyre 8 viteve.

Por përtej malinjitetit të Edi Ramës për të gjetur një shteg mbijetese dhe komedisë që shfaqi sot biznesmeni Luca, duhet të kujtojmë se ky i fundit është një nga përfituesit më të mëdhenj të pasurive publike të dhuruara nga Edi Rama.

Vetëm në muajin dhjetor 2020 gllabëroi ish-fabrikën e Sheqerit në Maliq për ta bërë fabrikë konservash e terminal dogane të zonës Korçë. Gjithashtu pak muaj më parë ju dha pa pagesë për 10 vite+20 vite kontratë PPP-je liqenin Xarrë-Sarandë. Gjithashtu miku për kokë Edi Rama, përveç tuneleve të ushtrisë nëpër Shqipëri së fundmi i ka dhuruar edhe 14 km katrorë det në Jon.

 Sipas një njoftimit në rubrikën ‘Njoftime punësimi’ e jo në rubrikën ‘Koncesione’; APP-ja ka publikuar vendimin e Ministres së Bujqësisë, Milva Ikonomi, për dhënien e një sipërfaqeje të detit Jon, në përdorim të firmës ‘Rozafa shpk’ për krijimin e një rezervati të mbyllur nga firma ‘Rozafa’, me aktivitet ‘kultivimin me përparësi intensive për interesa kombëtare, të species së peshkut Ton. Luca ka garuar me veten në këtë koncesion, i cili nuk ka as afat kohor të shkruar.

Por si Luca ka edhe një duzinë biznesmenësh të tjerë, të cilët Rama nuk ka si ti lërë rrugëve, ndaj ka planifikuar që të bëjë një qeveri me ata; përtej PD-së dhe përtej PS-së!