Tjetër ndërhyrje në zgjedhjet e 25 prillit/ Kryeministri i Maqedonisë fushatë në Shqipëri për PS

Zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri janë duke u ndjekur me shumë interes jo vetëm nga partnerët tanë strategjikë, por edhe nga vendet fqinje.

Ditën e sotme, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev u ka bërë thirrje të gjithë maqedonasve në Shqipëri, të votojnë për Partinë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama dhe kandidatin maqedonas Vasil Sterjovski.

“Në lisën e PS, mikut tim të dashur Edi Rama është edhe Vasil Sterjovski, një maqedonas dhe prej dy vitesh është pjesë e Parlamentit në Shqipëri. Dita kur Sterjovski u bë deputeti i parë maqedonas në Parlamentin shqiptar ishte historike.

25 prilli është gjithashtu një ditë e rëndësishme, dita kur ju do të votoni si maqedonas në Republikën e Shqipërisë që Vasili të vazhdojë misionin e tij për të përfaqësuar maqedonasit në Parlamentin e Shqipërisë.

Ju bëj thirrje të gjithëve që në 25 prill të votoni numrin 12, të mbështesni Vasil Sterjovskin dhe Partinë Socialiste”, shprehet Zaev në një video-mesazh të postuar në rrjetet sociale./ A.Z/