Lewandowski vlerëson Haaland-in: Do bëhet më i miri në botë!

Robert Lewandowski dhe Erling Haaland kanë një “luftë” të madhe midis tyre për të qenë sulmuesi më i mirë në Bundesliga dhe gjithashtu në botën, një betejë që polaku po fiton aktualisht.

Por 'Lewy' e ka të qartë se e ardhmja i përket norvegjezit. "Haaland është një lojtar i shkëlqyer. Ai është ende shumë i ri dhe ka një potencial të madh. Nëse e sheh në fytyrë, e dallon lehtë urinë e madhe që ka dhe dëshirën për të shënuar gola.

E ka mundësinë për t’u bërë sulmuesi më i mirë në botë. Por kujdes, jo gjithçka shkon mbarë gjithmonë dhe në futboll nuk ka asgjë të lehtë. Erling po realizon shumë gola, por është akoma i ri. Unë mendoj se është diçka fantastike të kesh një talent të tillë në Bundesligë dhe të përballesh me të.

E përsëris, ai është një futbollist që mund të bëhet më i miri. Gjithsesi, unë nuk kam ndërmend t’i hap rrugë dhe t’ia jap stafetën. Jam i lumtur këtu ku jam dhe kam ndërmend të luaj në nivele të larta edhe për disa vite“, theksoi Robert Lewandowski i cili përpara se të varë këpucët në gozhdë synon të thyejë rekordin e Gerd Muller për t’u bërë shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e Bundesligas.