Nga avokati Papleka te .../ Zbardhen disa krime të bandës së armatimit

Të tjera detaje dalin në dritë nga shkatërrimi i 18 bazave kriminale të arsenalit të armëve në Tiranë. Zbardhen disa nga atentatet e kryera nga banda e goditur sot nga policia, ku ranë në pranga 5 persona dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë

Të arrestuar janë Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa, ndërsa si pjesë e kësaj bande janë arrestuar më herët edhe Ermond dhe Enver Jamaku.

Siç raportohet, ky grup kriminal ka tentuar të vrasë me eksploziv të telekomanduar më 18 tetor të vitit 2019 Artian Bylyku, i cili është kunati i Donart Konjarit, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit.

Gjithashtu, të arrestuarit e këtij grupi janë autorët e sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, më 10 shtator të vitit 2017, në rrugën “Muhamet Deliu”, në Tiranë.

Ndërkohë, po të njëjtët persona dyshohet se janë autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një lënde narkotike të dyshuar si heroinë në banesën e Edmond Saraçit, ngjarje e ndodhur më datë 15 shtator 2017, në Tiranë.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.