Meta garanton shefen e Vëzhguesve të OSBE: Do ta ndalim presionin e krimit mbi zgjedhjet

Presidenti Ilir Meta ka bërë të ditur se ka pritur sot në takim drejtuesen e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, të cilën e ka garantuar se do të ketë bashkëpunimin e tij të plotë për të siguruar paprekshmërinë e tyre.

Meta njoftoi në Fb, hollësi të tjera rreth takimit: “Prita sot, me kërkesën e saj, Ambasadoren Ursula Gacek, e cila drejton Misionin e Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021.

I përcolla Drejtueses së Misionit, vendosmërinë dhe përkushtimin tim të palëkundur për të garantuar, që qytetarët të shprehin lirshëm dhe pa u cënuar, vullnetin e tyre të plotë në votim.

Theksova se, do të ndalim me çdo kusht dhe mjet, që presioni i krimit dhe shantazhi mbi qytetarët të minojë zgjedhjet, të shkatërrojë demokracinë dhe të ardhmen europiane.

E informova Ambasadoren dhe Kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, për nismën time transparente për mbrojtjen e zgjedhjeve të 25 prillit duke ju krijuar mundësinë të gjithë qytetarëve të denoncojnë me kurajo dhe pa hezitim të gjitha presionet, shkeljet dhe parregullsitë, që synojnë tjetërsimin e vullnetit të tyre.

Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të plotë për të siguruar paprekshmërinë e zgjedhjeve dhe të vullnetit të sovranit.”