Kane kthehet në Shqipëri, debutimin dhe golin e parë e ka ndaj kuqezinjëve

Më 28 mars, në orën 18:00, Shqipëria pret Anglinë në “Air Albania”, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Katar 2022”.

Sigurisht që “tre luanët” vijnë në vendin tonë si favoritë, falë emrave me cilësi të jashtëzakonshme që ka në përbërje, ku spikat padyshim Harry Kane.

Golashënuesi është kthyer në një nga armët më të forta të Anglisë në këto vite, siç e tregoi në Botërorin e vitit 2018, e vazhdon ta bëjë nga ndeshja në ndeshje për “tre luanët”. Por pakkush e di që për Kane, ndeshja me Shqipërinë me siguri sjell disa kujtime të vjetra dhe interesante, pasi debutimin dhe golin e parë me fanellën e përfaqësueses së tij, ai e ka shënuar pikërisht kundër kombëtares tonë.

Një dekadë më parë, në tetorin e vitit 2010, Kane ishte pjesë e përfaqësues U19 të Anglisë dhe asokohe rivalizonte për të qenë titullar me ish-sulmuesin e Tiranës, Majkëll Ngo. Megjithatë, në fazën kualifikuese të Europianit të kësaj grupmoshe, Kane e nisi si titullar, duke luajtur në ndeshjen e parë kundër… Shqipërisë.

Kane u bë menjëherë protagonist dhe në atë ndeshje, e cila përfundoi me shifrat 6-1 për “tre luanët”, ai shënoi 2 herë në portën shqiptare. Kësisoj, për Kane kjo ndeshje do të jetë një kthim pas në kohë, duke shpresuar që këtë herë të ketë harruar të shënojë në portën kuqezi.