Artan Boriçi: Familja me 5 shkencëtarë në zi, bota humbi përzgjedhësin e fizikantëve për Nobel

Nga Gjovalin Gjeloshi

Shkenca shqiptare ka pësuar një humbje të madhe sot me ndarjen nga jeta, mbrëmjen e 25 marsit, të akademikut të asociuar, fizikanit Artan Boriçi në moshën 56-vjeçare prej ndërlikimeve të Covid. 

Vepra e madhe që ai ka lënë pas në Shqipëri dhe në botë, do t’u mbetet brezave. Homazhet në nderim të akademikut të asociuar Artan Boriçi, do të mbahen tek Libri Akademik në Akademinë e Shkencave, sot më datë 26 mars 2021, nga ora 13.00-14.00

Cili është Artan Boriçi, çfarë përfaqëson ai? Ç'përmasa ka vepra që i ka lënë pas studiuesve shqiptarë dhe të huaj, me të cilët kishte një aktivitet të gjërë?

Artan Boriçi ishte Doktor i Shkencave Matematike prej Shkollës së Lartë Politeknike Federale të Zyrihut në Zvicër.

Më parë ai ka shërbyer si kërkues shkencor në fushën e fizikës teorike dhe llogaritëse si dhe fushën e financës llogaritëse në institutin Paul Scherrer të Zvicrës, Shkollën e Lartë Politeknike Federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut.

Artani bashkëpunoi ngushtë me institucione shkencore të huaja si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë, Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë, etj.

Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ai organizoi konferenca ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Artanit i janë akorduar mbi gjysëm milioni dollarë grante për punë kërkimore fondametale prej agjencive zvicerane e skoceze, si dhe NATO-s gjatë punës në Universitetin e Tiranës.

Ai botoi rregullisht në Physical Revieë dhe Journal of Computational Physics dhe ka indeksin e citimeve katërmbëdhjetë. Artani ka shërbyer si zëvendësdekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe anëtar i Këshillit të Fakultetit.

Që prej vitit 2012 Artani drejtoi grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizkës, ndërsa që prej vitit 2020 ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Familja

Nëna, Prof.Dr. Myzejen Boriçi, inxhiniere meteorologe, diplomuar në Odesë (Ukrainë), punonjëse dhe drejtuese shkencore në Institutin Hidrometeorologjik të Akademisë së Shkencave ( 1961 -1993), 2 herë Laurate e çmimit të Repubikës.

Babai, Prof.Dr. Hamit Boriçi, gazetar publicist, punonjës dhe drejtues shkencor, pedagog dhe historian i gazetarisë shqiptare.

Bashkëshortja, Dr. e Shkencave, fizikane e diplomuar në Universitetine Tiranës, doktoruar në Shkollën Federale të Zyrihut (Zvicër) me veprimtari intensive kërkimore me h indeks shtatë. Aktualisht ajo ushtron profesionin e investuesit bankar me një portofol kapitalesh të madh në vite.

Djali, Dalin Boriçi, ka përfunduar studimet Bachelor në matematikë në Orsejë (Paris) dhe studion për magjistraturë në fizikë po në Orsejë. Ai ka përfunduar studimin shkencor mbi përdorimin e Automatëve Qelizorë në investimet e titujve të tregjeve të kapitalit.

 

Kontributi shkencor: 61 botime, 624 citime i njohur në botën akademike për Formulimin e teorive fermionike rrjetore,  Algoritmet numrike për fermionet kirale, Zhvillimin e teorive duale Yang-Mills

AKADEMIA E SHKENCAVE TE SHQIPERISE:

Akad. asoc. Artan Boriçi ishte i vlerësuar në rrethin e kolegëve të ASH dhe të Universitetit të Tiranës si një shkencëtar, i cili ia ka dalë të jetë pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar me kontributin e tij të veçantë në shkencën e fizikës, duke hyrë në panteonin e elitës intelektuale.

Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020.

Kryesia e Akademisë së Shkencave e tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të akad. asoc. Artan Boriçit, i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve, anëtarëve të Akademisë së Shkencave, trupës së profesoratit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku ai ushtroi veprimtarinë e tij akademike dhe universitare, brezave të studentëve që u formuan me dijet dhe etikën e tij, që i la në pikëllim.

I njohur në botën shkencore në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”, akad. asoc. Artan Boriçi bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.

Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010.

Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).

Akad.asoc Artan Borici ka 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9. Ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Revieë D dhe Journal of Computational Physics. Është pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar.

Artan Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërmijave elementare.