Policia parandalon hedhjen e një vajze nga hoteli në Prishtinë

Prishtinë - Sot në orët e mëngjesit një vajzë ka tentuar të hidhet nga një hotel në Prishtinë. Vajza ka arritur të shpëtojë pas nderhyrjes së Policisë së Kosovës, njësitet e së cilës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë parandaluar hedhjen e vajzës nga lartësia e objektit.

Rastin për “Zërin” e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Ahmeti ka thënë se në këto momente vajzës janë duke i bërë kontrollet e duhura mjekësore.

“Rreth orës 9:40 është raportuar se në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, një person dyshohet se po tenton të hidhet nga lartësia e një objekti. Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes me të gjitha njësitë përkatëse përfshirë këtu edhe specialistin e negocimit.

Veprimet e shpejta dhe mirë koordinuara policore kanë rezultuar me kontrollimin e situatës si dhe parandalimin e pasojave të ngjarjes, ndërkohë që personit në fjalë ekipet e mjekëve emergjent po i bëjnë kontrollet e duhura mjekësore”, tha Ahmeti.