Ndreca përleshet për mandatin e ri të Ramës, Shkullaku: Është me pullë të kuqe në pastrimin e parave dhe PPP-të!

“Mundësia apo pamundësia e mandatit të tretë të Edi Ramës?!” – Kjo ishte pyetja që ndezi zjarrin e debatit dhe shkrepëtiu xixa përplasjesh, midis analistëve dhe politikanëve në emisionin “Çim Peka Live”.

Peka uli mbrëmjen e së mërkurës në SYRI TV, analistët Armand Shkullaku, Mentor Nazarko, Andi Bejtja dhe përballë tyre, politikanët socialistë, Blendi Klosin, ministrin e qeverisë dhe Plarent Ndrecën, kandidatin e PS në Tiranë.  

Në një pikë të debatit, Plarent Ndreca i sulmoi analistët që e kundërshtonin në pretendimet se qeveria Rama kishte bërë investime të pakrahasueshme: “ Ju nuk doni me pa asgjë, ju keni mbyllur sytë, doni me pa vetëm studiot dhe shihni vetëm bulevardin. Edhe atë s’e shihni!!!” tha kandidati socialist.

Por mjaftuan dy argumente bazë nga Shkullaku dhe Bejtja për të ftohur entuziazmin e Ndrecës se Rama nuk kishte më arsye të kërkonte një mandat të tretë qeverisës.

Ndiqni debatin:

Shkullaku: Shqipëria është me pullë të kuqe në të gjitha raportet ndërkombëtare të pastrimit të parave.

Ndreca: Policia e Shtetit sot është policia më e mirë që ka pasur shteti shqiptar në këto 30 vjet.

Shkullaku: Ore, unë nuk e di ku ke qenë ti…Unë po them se Inceneratori i Fierit që (Rama) premtoi se do të fillonte punë në dhjetor të vitit të kaluar dhe nuk ka filluar akoma, i ka marrë të gjitha paratë! Kjo është një PPP për mua, problematike. Nuk i hyj në është korruptive ose jo.

Ndreca: Kjo është proceduriale…!

Shkullaku: “Check Up” është për mua një shërbim që nuk e kishim të nevojshëm!

Ndreca: Edhe kjo është proceduriale. Sapo re në  kundërshtim me veten tënde, sepse the nuk merrem me prokurorime, nuk merrem me procedurën - e tani po merresh me procedurën! Është ndryshuar e gjithë QSUT-ja. Ke qenë ndonjëherë në QSUT?!

Bejtja: Kam qenë, kam qenë, por…

Ndreca:  A e ke parë nga 2013-ta se çfarë ndryshimi ka?!

Bejtja: Çfarë ndryshimi ka?!

Shkullaku: Kanë mbjellë lule, është rregulluar bari…

Bejtja: Lule... është rregulluar pak parkingu.

Ndreca: Ka ndryshime rrënjësore, edhe nga mënyra se si administrohet, edhe nga investimet!

Bejtja: Po spitale dhe Telemedicina….

Ndreca: Po çfarë të them?! Ju nuk doni me pa asgjë! Ju keni mbyllur sytë! Doni me pa vetëm studiot dhe shihni vetëm bulevardin! Edhe atë s’e shihni!

Bejtja: Jo, nuk nuk të mbyll sytë! Se po të kishte qenë ashtu, s’do të kishin ikur të gjithë infermierët e mjekët, po hë!

Ndreca: Ju shihni vetëm hotelet luksoze këtu. Jo mor, se nuk është ashtu!

Bejtja: S’do të kishte pasur kaq eksod Shqipëria po të kishte qeverisur kaq mirë!...

Ndreca: Sigurisht që do të ikin, se Gjermania afron më shumë!

Bejtja: Kaq shumë!!!/ar.sh/SYRI.NET