Rama e zbriti nga 'treni' i PS, Bushatit i ndalon para një 'tren' tjetër

Pas intervistës së fortë që Ditmir Bushati dha këtë të martë për Adi Krastën në Syri TV, ku mes të tjerave akuzoi se në listat e PS-së ka kandidatë që kanë kryer gjakderdhje financiare me paratë e buxhetit të shtetit, edhe ditën e sotme me rastin e 44 vjetorit ai ka siluruar sërish Edi Ramën.

Duke përdorur ironinë dhe simbolikën, ai ka shfaqur në rrjetet sociale një fotografi ku duket me një tren dhuratë me rastin e ditëlindjes.

“Për ditëlindje, si surprizë një tren u ndal në stacionin tim #bestteamever”, shkruan Ditmir Bushati në mbishkrimin e fotos.

Kujtojmë se simbolika e trenit ishte pjesë e debatit të fundit ballë për ballë mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, për çështje e përjashtimit të tij nga kandidimi në emër të PS-së në zgjedhjet e 25 prillit.

Gjatë debateve në Kryesinë e PS-së, Edi Rama i tha Bushatit se: “Nga treni vendose të zbresësh vetë, pasi ke vendosur të mbash fjalime publike dhe jo të punosh tokën e të bësh punë”.

Nga ana e tij ish-ministri i Jashtëm dhe 2 herë deputet i PS-së, Ditmir Bushati, replikoi me kryeministrit Rama, duke i ka kërkuar që të mos kandidojë “persona të lidhur me inceneratorët, gjakderdhje financiare, lavatriçen e betonit, krimin, PPP-të…”.

Edhe pak kohë më parë Bushati do të shkruante në rrjetet sociale se: “Nuk ka rëndësi se në cilin tren udhëtoni, e rëndësishme është se në cilin stacion treni zbrisni”.