Lëvizje e papritur/ Bayer Leverkusen shkarkon trajnerin, gjen menjëherë zëvendësuesin

Humbja 3-0 ndaj Hertha Berlin të dielën ka qenë edhe disfata e fundit për Peter Bosz në stolin e Bayer Leverkusen.

Trajneri holandez është shkarkuar nga stoli i “Aspirinave” për shkak të rezultateve të dobëta duke mbyllur kështu eksperiencën e tij në “BayArena” që zgjati për diçka më shumë se 2 vite, me Bosz që qëndronte në pankinën e Leverkusen që nga janari i vitit 2019.

Vetëm 15 pikë të grumbulluara në 14 ndeshjet e fundit që e zbritën Bayerin nga vendi i parë në të 6-in, por edhe eliminimet nga Kupa e Gjermanisë dhe Europa League nga dy skuadra modeste si Essen e kategorisë së 4-t dhe zviceranët e Young Boys, detyruan drejtuesit e Leverkusen të shkarkonin trajnerin holandez.

“Hannes Wolf do të zëvendësojë Peter Bosz si trajner deri në fund të sezonit, ndërkohë që asistent i tij do të jetë Peter Hermann, ish-lojtar dhe ish-trajner i joni. Duam të falënderojmë Peter Bosz për kohën që kaloi në Leverkusen dhe t’i urojmë gjithë të mirat në të ardhmen”, shkruhet në njoftimin e “Aspirinave”.