Ekzekutimi i Mond ‘Çekiçit’, çfarë ndodhi pak sekonda para vrasjes

Pak sekonda para se të ekzekutohej me gjashtë plumba, Edmond Koçi, i njohur edhe si Mond Çekiçi, ka debatuar me njërin prej autorëve dhe pikërisht me atë që ndodhej në timon, pasi ky i fundit i kishte bllokuar rrugën.

Gjithçka ka zgjatur më pak se 15 sekonda, momentin kur 43-vjeçari hapi derën e makinës për të zbritur, qitësi që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit ka hapur zjarr në një distancë fare të shkurtër, rreth 3.5 metra duke e lënë të vdekur në vend.

Ndërkohë, shoferi i Koçit arriti të largohej me shpejtësi menjëherë sapo pa që nga makina tjetër po drejtohej një armë në drejtim të tyre, i favorizuar edhe nga pozicioni pasi fare pranë tij ndodhej edhe një rrugicë që futej në bllokun e brendshëm të pallateve.

Ngjarja e rëndë u regjistruar rreth orës 08:40 të së shtunës në Lagjen Nr. 16 të qytetit bregdetar pranë Drejtorisë Arsimore, pranë lokalit ku viktima frekuentonte kohët e fundit. Edmond Koçi i shoqëruar edhe nga shoferi i tij, emrin e të cilit Policia po përpiqet ta mbajë të fshehtë, ishin duke shkuar te lokali.

Por sapo janë afruar aty, një makinë tip ‘Mercedez Benz’ po i priste aty. Në momentin që ata donin të parkonin makinën, Koçi ka hapur derën për t’u thënë atyre që të largoheshin pasi i kishin bllokuar rrugën.

Në momentin që hapi derën e makinës, njëri prej tyre që ndodhej në sediljen e pasme hapi zjarr në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Për mrekulli shpëtoi shoqëruesi i tij, të cilin e mbante edhe si shofer. Ai pati fat të largohej në moment, pasi u fut menjëherë në zonën e brendshme të pallateve nga një rrugicë e ngushte që ndodhej aty, shkruan Panorama.

Pasi u siguruan se objektivi kishte ndërruar jetë, autorët u nisën në drejtim të Shën Vlashit, ku në këtë zonë dogjën edhe automjetin dhe armën me të cilën kryen krimi, duke u larguar më pas në drejtim të paditur.