Shehi: Laçi nuk është ‘treni i fundit’ i Tiranës për Europën

Një javë pas humbjes në derbi, Tirana do të kërkojë rikthimin te rezultatet pozitive, këtë herë në transfertën e vështirë ndaj Laçit në Kurbin.

Trajneri Orges Shehi doli në konferencën e zakonshme për shtyp ku vlerësoi maksimalisht kundërshtarin dhe theksoi se nuk do të qahet asnjëherë për organikën që ka në dispozicion.

A është sfida me Laçin “treni i fundit” për një vend në zonën europiane?

Me Laçin është një betejë shumë e fortë dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për të dyja skuadrat. Megjithatë nuk e shikoj si treni i fundit për Europën, sepse ka edhe shumë ndeshje në vazhdim. E shikoj si ndeshje të rëndësishme për objektivat.

Si është gjendja e skuadrës në prag të kësaj transferte?

Gjendja e skuadrës është e mirë përveç Bekajt, që ka probleme dhe nuk do jetë nesër në lojë. Pjesa tjetër është stërvitur mirë dhe janë në gjendje për gatishmërinë në ndeshjen e nesërme.

A është një favor fakti që ishit pushim në mesjavë dhe jeni më të freskët?

Nuk e shoh si favor sepse kanë pasur kohë për të rikuperuar skuadrën. Kanë anë psikologjike shumë të lartë dhe e kanë faktor plus sepse ana kualifikimi në Kupë të jep tjetër moral. Gjithsesi ne fokusohemi te vetja dhe do bëjmë mirë detyrat tona. Humbja në derbi erdhi në një moment shumë të mirë, tre fitore radhazi për herë të parë në këtë sezon. Në katër ndeshjet e fundit kemi marrë 9 pikë, por e kemi trajtuar këtë situa për të mos pasur ngarkesë emocionale dhe të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme.

Ndryshe nga paraardhësit tuaj, nuk jeni ankuar asnjëherë për organikën që keni në dispozicion?

Është gabim të qash atë që iku dhe të mos mendosh për të ardhmen sepse nuk duam të jemi sërish në situatën e mëparshme. Idetë dhe loja e skuadrës do kohën e vet. Në këtë situatë janë të rëndësishme pikët. E kam marrë skuadrën me koshiencë të plotë dhe do bëj maksimumin për të qenë aty ku duhet, pavarësisht situatës kur e mora skuadrën. Nuk do më dëgjoni kurrë të jem qaraman dhe të qaj gjëra të tilla. Të fokusohemi te ndeshja e nesërme. Futbolli të jep mundësinë për të rikuperuar. Unë kurrë nuk do e lë përgjegjësinë te të tjerët.