E rëndë në Shkodër/ Vdes në autobus, vetëm pak minuta pasi kishte dalë nga spitali

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër së fundmi me një pacientë të spitalit aty. Një grua 55-vjeçare ka humbur jetën tre ditë më parë në urbanin e qytetit, vetëm pak minuta pasi ajo ishte larguar nga spitali Rajonal i Shkodrës.

Mediat bëjnë  me dije se viktima është shtetasja File Dibra, e cila humbi jetën në autobusin e qytetit, teksa po kthehej nga spitali për në shtëpinë e saj.
Më herët gruaja 55-vjeçare kishte pasur një gjendje të përkeqësuar shëndetësore dhe pas kësaj është transportuar me një ambulancë nga banesa pranë urës së vjetër të Bunës, drejt spitalit të Shkodrës.
Sipas familjarëve, pasi ka marrë mjekim duke qenë se vuante nga tensioni dhe problemet e zemrës File Dibra ka dalë nga spitali, por ka humbur jetën në autobusin e qytetit. Kurse bashkëshorti i saj ka deklaruar, se është i paqartë për çfarë ka ndodhur pasi ka qenë në punë, por kërkon nga policia që të hetojë dhe të zbardhë ngjarjen. Nga ana tjetër pas interesimit të mediave, drejtuesit e spitalit të  Shkodrës nuk kanë pranuar që të japin një sqarim lidhur me këtë ngjarje të rëndë.