Gjermania dhe Franca, ndër shtetet që do të rifillojnë vaksinimin me AstraZeneca

Gjermania, Franca dhe shtete të tjera evropiane njoftuan të enjten se kanë në plan të rifillojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca për COVID-19 pasi entet rregullatore të BE dhe Britanisë u vunë në lëvizje për të rritur besimin tek vaksina, duke thënë se përfitimet e saj tejkalojnë rreziqet.

Raportet e mpiksjeve të rralla të gjakut në tru kishin nxitur më shumë se një duzinë kombesh të ndërprisnin përdorimin e vaksinës, sfida e fundit për ambiciet e AstraZeneca për të prodhuar një "vaksinë për botën", pasi numri i vdekjeve globale nga koronavirusi kalon 2.8 milion.

Përfundimi "i qartë" i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) pas një hetimi të 30 rasteve me çrregullime të pazakonta të gjakut ishte se përfitimet e vaksinës në mbrojtje të njerëzve nga vdekja e lidhur me koronavirusin ose me shtrimin në spital, i tejkalojnë rreziqet e mundshme, megjithëse tha se një lidhje midis mpiksjeve të gjakut në tru dhe vaksinës nuk mund të përjashtohet përfundimisht.

"Kjo është një vaksinë e sigurt dhe efektive," tha drejtoresha e EMA,  Emer Cooke, në një konferencë. "Po të isha unë, do të vaksinohesha që nesër".

Brenda disa orësh, Gjermania tha se do të rifillojë vaksininim me AstraZeneca nga e premtja në mëngjes. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha se pezullimi i vaksinës si masë parandaluese kishte qenë vendimi i duhur "derisa të shqyrtohej ky lloj shumë i rrallë i trombozës."

Franca gjithashtu tha se do të rifillonte përdorimin e vaksinës. Kryeministri Jean Castex tha se ai do ta bënte vetë vaksinën të premten pasdite.

Kryeministri italian Mario Draghi tha se Italia do të bënte të njëjtën gjë dhe se përparësia e qeverisë së tij ishte të vaksinonte sa më shumë njerëz dhe sa më shpejt të ishte e mundur.

Spanja tha se po vlerësonte një rifillim të mundshëm, ndërsa Qipro, Letonia dhe Lituania thanë se do të rinisnin përdorimin e vaksinës.

Shumë qeveri kishin thënë se vendimi për të ndërprerë imunizimin ishte për shkak të kujdesit. Por ekspertët kanë paralajmëruar se ndërhyrjet politike mund të minojnë besimin e publikut për vaksinat ndërkohë që qeveritë përpiqen të zbutin variantet më infektuese të virusit.

"Ne kemi besim se, pas vendimeve të kujdesshme të enteve rregullator, vaksinimet mund të rifillojnë përsëri në të gjithë Evropën," tha në një deklaratë Shefja e  AstraZeneca, Ann Taylor.