Asqeriu i lutet Bashës: Kam 2 plagë në zemrën time, minatorët dhe naftëtarët!

“Kam edhe dy plagë në zemrën time, zoti Basha...”:  Me patos, me revoltë të fortë tek dridhej nga emocionet, aktori i mirënjohur  Bujar Asqeriu është bërë sot befasisht zëri më i fuqishëm në mbrojtje të minatorëve dhe naftëtarëve në Shqipëri, duke korrur duartrokitje të fuqishme që ndoshta kurrë nuk i kishte marrë në ndonjë skenë.

Bujar Asqeriu me miqtë e tij artistë ishte duke pirë kafen e mëngjesit në Vlorë, në momentin kur në qytet ka ardhur Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe ka filluar të takojë qytetarët në rrugë dhe në sheshe.

Basha ka ndalur në tryezën e aktorëve për t’i përshëndetur,  ku sikundër nuk pritej nga askush, Bujar Asqeriu, duke iu drejtuar si Kryeministrit të ardhshëm, i ka ngritur dy probleme madhore që shkonin përtej thirrjes së tij për ta ringritur Teatrin Kombëtar aty ku ishte: Problemin e madh të punonjësve të nëntokës.

“Të më falësh zoti Basha, kam dhe dy plagë në zemrën time, që po jua referoj – tha Bujar Asqeriu. - Plagën e parë e kam për naftëtarët, të cilët i kanë dhënë miliona euro këtij vendi. Dhe sot treten dobësohen dhe nuk jetojnë as me shtëpi të mira, as me shëndet të mirë.

Dhe cinizmi i tmerrshëm i Kryeministrit që u thoshte “dilni nga greva dhe pastaj më takoni mua!!!!”, është cinizëm dhe urrejtje njerëzore. Kjo është urrejtje njerëzore të mos duash njeriun! Luftë nuk mund të bësh, nuk mund të jesh drejtues i një vendi nëse nuk do njeriun, nuk do shqiptarin. Pa dashuri nuk fiton asnjë betejë! Vetëm me dashuri fitohet beteja, vetëm me respekt fitohet beteja.

Për naftëtarët – një: që familjeve të naftëtarëve që janë pa shtëpi t’u bëhen shtëpi të reja dhe infrastruktura të rregullohet e paga të jetë dinjitoze dhe për minatorët e Bulqizës – dy, që po vdesin për galeri. Shkoni në Bulqizë dhe shikoni si është gjendja e tyre e mjeruar. Si qytetarë po t’i them këto dy plagë!”/ar.sh/SYRI.NET