Pas konfirmimit në detyrë, flet Brdaric: Më kanë kthyer lojtarët!

Tomas Brdaric do të vazhdojë të jetë në drejtimin e Vllaznisë edhe në vazhdim. Pas diskutimeve të fundit mes trajnerit dhe drejtuesve shkodranë, është vendosur që trajneri gjerman pas shkarkimit, të rikthehet në drejtimin e skuadrës.

Megjithatë pavarësisht konfirmimit, e ardhmja e trajnerit varet nga rezultatet në vijim dhe pritet kthesa e skuadrës që në ndeshjen e radhës.

“Unë nuk mund të bëj pa këta lojtarë dhe as këta pa mua. Më kanë kthyer lojtarët sepse jemi bërë një familje. U ulëm të gjithë bashkë dhe vendosëm të vazhdojmë. Të gjithë ishim të mërzitur pas humbjes por ne duam te bëjmë me te mirën pavarësisht se situata doli nga kontrolli. Do vijojmë të bëjmë më të mirën”, tha trajneri për “News24.”

Pas humbjes së Vllaznisë ndaj Bylisit, drejtuesit vendosën shkarkimin e trajnerit, për shkak se shkodranët po kalojnë një formë shumë të dobët, por duket se gjithçka ka ndryshuar në orët e fundit.

Mësohet se vendimi për të rikthyer Brdaric është marrë sot në mëngjes, pas një takimi të drejtuesve të klubit dhe lojtarët. Këta të fundit kanë insistuar se nuk është faji i trajnerit, por është faji i tyre dhe do të vazhdojnë me Brdaric.