Eco Market dhuron 6 respiratorë dhe 40 mijë maska për Spitalin e Durrësit

Eco Market ndër vite ka treguar kujdes të veçantë ndaj shoqerisë duke ndërmarrë here pas here fushata të përgjegjësisë sociale për t’i ardhur sa më në ndihmë komunitetit.

Këtë herë në bashkëpunim me markën italiane Divella, e cila është ekskluzivitet i kompanisë Eco Market, kanë dhuruar 6 respiratorë dhe 40 mijë maska në spitalin rajonal të Durrësit.

Presidenti i grupit Aiba, z. Armand Duka dhe Drejtoresha ekzekutive e kompanise Eco Market Znj, Elda Kërçova kanë qenë të pranishëm në Spitalin e Durrësit, të pritur nga stafi mjekësor ku kanë dorëzuar 6 respiratorët dhe 40 mijë maska që do shërbejnë për të gjithë pacientet në nevojë.

Në fjalën e tij, z. Armand Duka u shpreh: “Ju falënderoj juve që jeni këtu dhe dua t’i shpreh mirënjohjen nëpërmjet jush gjithë personelit shëndetësor të spitalit të Durrësit, por jo vetëm, gjithë personelit shëndetësor në gjithë Shqipërinë, për përkushtimin, sakrificën. Unë do doja t’i shpreh mirënjohjen edhe kompanisë Divella që në bashkëpunim me Eco Market ka bërë të mundur dhurimin e këtyre aparateve respiratorë që besoj do të ndihmojnë sadopak në lehtësimin e kësaj dhimbjeje. Kompanitë tona në buxhetet e tyre gjithmonë planifikojnë fonde, por në 2020 këto buxhete janë tejkaluar, janë dyfishuar për arsye të situatave të vështira që ne kemi kaluar, tërmetit, situatës virale, por edhe për një arsye tjetër, sepse vëllai im Agron Duka që ju e njihni, kur është puna për të falur dhe për të dhuruar nuk na i respekton buxhetet, por i ka tejkaluar. Unë uroj që edhe pranvera, siç thonë që edhe virusi largohet, të jetë një pranverë sa më e mirë për ne, për qytetin tonë kryesisht por për gjithë shqiptarët dhe të gjithë botën”.

Stafi mjekësor dhe drejtoresha e Spitalit të Durrësit, zj. Nadire Jani e vlerësoi këtë kontribut si të rëndësishëm në këtë moment, pasi nevoja për pajisje të tilla në ambientet spitalore është e madhe.

“Në këtë periudhe të vështirë ka shumë nevojë për gjeste të tilla si: përkujdesja dhe bujaria, të cilat mund t’ju japin kurajë të madhe individëve të prekur nga Covid-19 dhe që luftojnë me të”.

Pronaret e Aiba Group, z. Armand dhe Agron Duka, prej vitesh i kanë kushtuar një rëndësi të madhe përgjegjësisë sociale, dhe kane kontribuar për njerëzit në nevojë. Edhe për vitin 2021 kanë planifikuar një strategji të posaçme ku të gjitha kompanitë e këtij grupi do kenë në fokus komunitetin dhe njerëzit në nevojë.