Materazzi: Preferoj më shumë Lukakun sesa Ibran!

Legjenda e Interit, Marco Materazzi, ka shpjeguar se përse preferon më shumë Romelu Lukaku sesa Zlatan Ibrahimovic.

Gjithashtu 47 vjeçari në një intervistë për "Lega Serie-A" tregoi se zikaltërit kanë nevojë për një 'performancë perfekte' për të fituar në derbi.

Skuadra e Antonio Conte kapërceu Milanin në krye të renditjes së Serie A fundjavën e kaluar me dy klubet që përplasen nesër mes tyre.

"Interit i duhet një lojë e përsosur, ashtu si ajo që ata luajtën kundër Juventusit. Milani meriton respekt, pasi po bëjnë një mrekulli sportive, shpresoj që Interi të mbizotërojë pasi mendoj se zikaltërit janë superiorë”, tha Materazzi për kanalin e Lega Serie A.

Materazzi luajti së bashku me Ibrahimovic tek Inter, por ai do të zgjidhte Suedezin apo Romelu Lukaku?

“Ibra ka një veçanti të madhe. Ai kurrë nuk dëshiron të humbasë. Thënë kështu, unë zgjedh Lukakun, pasi ai është sulmuesi ynë dhe sepse është më i ri. Megjithatë, të dy janë vendimtar për ekipet e tyre”, përfundoi kampioni i Botës me Italinë në vitin 2006.