Ulja në Mars/ Pse krateri Jezero ka magjepsur edhe Ballkanin

Një robot i ri është ulur në sipërfaqen e Marsit. Lajmi po dominon mediat ndërkombëtare. Roboti ‘Perseverance’ ia doli me sukses të kalojë ato që njiheshin si ‘shtatë minutat e terrorit’ dhe është ulur në kraterin Jezero.

Roboti me gjashtë goma do të kalojë të paktën dy vite duke gërmuar në kraterin Jezero, ku dikur ishte një liqen gjigant para miliarda viteve.

Nëse ekziston një përgjigje për pyetjen se a ka pasur apo ka jetë në Mars, ajo gjendet pikërisht te ky krater, që për habi ka entuziazmuar edhe ballkanasit. Kjo për shkak se krateri mban emrin e një komune të vogël boshnjake.

Unioni Astronomik Ndërkombëtarnë vitin 2007 i vuri emrin Jezero një krateri me gjerësi 45 km në skajin perëndimor të Isidis Planitia, një pellg gjigant në veri të ekuatorit marsian.

Emri u zgjodh nga 80 sugjerime për shkak se në gjuhën sllave, Jezero përshkruan një gropë të madhe natyrore ose një gropë të mbushur me ujë.

Më 23 shtator 2019, ambasadori amerikan në Bosnjë, Eric Nelson, i dorëzoi një letër nga NASA kryetares të komunës së Jezeros, Snezana Ruzicic, duke konfirmuar që krateri po merrte emrin e komunës së saj.

Por përse është kaq interesant ky krater?

Sipas BBC, kjo zonë ka potencialin për të ruajtur molekula organike që mund të sinjalizojnë ekzistencën e jetës. Veçanërisht interesante është ‘unaza e vaskës’ me sedimentet e liqenit antik.

Kampionët më interesante që do të gjejë roboti në këtë pellg do të paketohen në tuba të vogël. NASA dhe Agjencia Hapësinore Europiane kanë në plan që të marrin këto tuba deri në fund të kësaj dekade.

Do jetë një përpjekje e dytë komplekse, ku një raketë tjetër do të dërgohet në Mars për të marrë kampionët e materialeve nga Jezero.

Kur këto kampionë të vijnë në Tokë, do të analizohen me detaje. Megjithatë, edhe nëse zbulohet diçka interesante, e sigurt është që do ketë kontestime, sikundër ka vazhdimisht për gjurmët e jetës në Tokë.