Pfizer fillon testimin e vaksinës kundër koronavirusit tek gratë shtatzëna

Pfizer dhe Biontek filluan një studim ndërkombëtar me 4,000 vullnetarë për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës së tyre mbi gratë shtatzëna të shëndetshme, thanë kompanitë të enjten.

Gratë shtatzëna janë në rrezik më të lartë për të zhvilluar një formë më serioze të COVID-19 dhe shumë profesionistë të shëndetit rekomandojnë që gra të caktuara në pozicione me rrezik të lartë të marrin vaksinën COVID-19 edhe pa prova se ato janë të sigurta për to.

Javën e kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetit Amerikan bëri thirrje për përfshirje më të madhe të grave shtatzëna dhe gjidhënëse në kërkimin e vaksinës kundër COVID-19. Ekspertë të shumtë shëndetësorë kanë avokuar për vite me radhë që gratë shtatzëna duhet të përfshihen në testimin e hershëm të vaksinave.

Megjithëse ka shumë pak të dhëna se si gratë shtatzëna dhe gjidhënëse do të reagojnë ndaj vaksinës kundër COVID-19, organizatat profesionale dhe disa mjekë thonë se përfitimet shumë më tepër do të tejkalojnë rreziqet.