Kongresi Amerikan e shpall zyrtarisht Joe Biden, President të SHBA

Joe Biden është zyrtarisht president i Shteteve të Bashkuara të Amerikes. Kongresi amerikan e ka shpallur presidentin e 46 në historinë e SHBA-së.

Kongresi amerikan konfirmoi fitoren e presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, pas numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor dhe rrëzimit të të gjithë kundërshtimeve nga ana e disa kongresmenëve dhe senatorëve republikanë.

Pas numërimit të votave të elektorëve nga shteti i Vermontit, presidenti i zgjedhur Biden, dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur Harris arritën kuotën e 270 votave që duhen për të fituar presidencën.

Senati dhe dhoma e përfaqësuese hodhën poshtë me votë pretendimet e republikanëve për të mos njohur votat e Kolegjit Zgjedhor për shtetin e Xhorxhias dhe të Pensilvanisë, pas debateve në secilën prej dhomave. Republikanët kundërshtuan rezultatin edhe në Arizona, Nevada dhe Miçigan, por këto pretendime u hodhën poshtë pa u debatuar.

Certefikimi i Biden vjen pas trazirave që ndodhen në Capitol Hill, mbështetësit e presidentit të larguar Trump u përpoqën të hynin brenda në Kongres dhe të ndalonin shpalljen zyrtare të fitores së Biden.

Nga trazirat brenda në Kapitol mbetën të vrarë 4 persona dhe u arrestuan rreth 52 të tjerë, kongresmenët dhe senatorët u larguan nga salla për disa orë deri në rivendosjen e rregullit dhe më pas procesi rifilloi.

“Dhuna kurrë nuk fiton. Liria fiton. Dhe kjo është ende shtëpia e njerëzve. Atyre që bënë kërdi në Kapitolin tonë sot, ju nuk fituat", tha Z. Pence I cili u shkëput nga deklaratat e Trump që kishte përgëzuar turmën pas protestave.