Grup kriminal/ Mbyllen hetimet për një pjestar të grupit të laboratorit të drogës në Has, dosja në Gjykatë

Po gjatë ditës së sotme Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.29/6 të vitit 2019 (pjesë e procedimit penal nr.339/2016), në ngarkim të të pandehurit:

Fisnik Sadiku (Smaili), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal’’, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a/1, 284/c, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se me datë 18.10.2018, në fshatin Brenogë, Has, është sekuestruar sasia e lëndës narkotike prej 182.5 kg, të llojit heroinë, një laborator që shërbente për prodhimin e lëndës narkotkike, ndërsa në Prishtinë, me datë 02.12.2018, është sekuestruar sasia e lëndës narkotike të trafikuar, prej 113.5 kg e llojit heroinë

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se i pandehuri Fisnik Sadiku (Smaili) ka qenë i pjesëtar i grupit kriminal, ku për këtë fakt penal janë dërguar më parë në gjykim për të njëtat akuza bashkëpandehurit, Admir Hoxha, Hekuran Hoxha, Xhevit Shuti, Flamur Çelaj,Vehbi Berushi, shtetasi turk Iskender Sale dhe shtetasi kosovar Xhemal Shala.