Kushi: Shkolla mbyllet më 24 dhjetor dhe do të rifillojë më 11 janar

MInistria e Arsimit në konsultim me Komitetin e Ekspertëve mbi pandeminë ka vendosur që shkollat të mbyllen më 24 dhjetor dhe të rinisin në datën 11 janar. Kështu njoftoi sot Ministrja e Arsimit Evis Kushi.

"Në bashkëpunim me Komitetin e Ekspertëve kemi vendosur që pas pushimeve të fundvitit - tha Kushi, - për vitin e ardhshëm shkolla nuk do të fillojë në datën 4 siç ishte parashikuar në skenar, por më 11 janar. Natyrisht në varësi të dinamikës së pandemisë mund të ketë edhe vendime të tjera, por për momentin do të jetë data 11."

Deklarata u bë nga Pusteci, ku Ministrja e Arsimit priti dhe shoqëroi gjatë një vizite, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Ministren maqedonase të Shkencës, Mila Carovska, në shkollat e minoritetit maqedonas.

Ministrja e Arsimit ishte me dy qeveritarët e Maqedonisë tek nxënësit dhe mësuesit e Pustecit, ku mësimdhënia bëhet në gjuhën maqedonase.