FOTO/ Specie e frikshme, kapet peshkaqeni 1 tonësh në Vlorë

Një peshkaqen rreth 1 ton ka rënë gjatë natës në rrjetat e peshkatarëve të Vlorës disa milje detare larg ishullit të Sazanit.

Peshkaqeni u kap në ujërat neutrale rreth 10 milje larg Sazanit, në një thellësi rreth 500 metash. Peshkatari Petrit Lamani tregon se anija e tij kishte tre dite në det dhe sot në orët e para të mëngjesit vunë re që diçka i tërhiqte.

Kjo specie e quajtur peshkaqeni DEM është një grabitqar i rrezikshëm, që jeton në një thellësi 500-600 metra. Ai është gjashtë metra i gjatë dhe madhësia, por dhe dhëmbët e mprehtë e kanë bërë të vështirë nxjerrjen e tij nga rrjetat.

Ky peshkaqen është i rrallë edhe për peshkatarë me 40 vite eksperience si Petriti, i cili thotë se nuk është hera e parë që në rrjetat e tij bie një specie e këtillë, pasi në ujërat e Adriatikut ka peshkaqenë të mëdhenj, por jo të kësaj madhësie, peshe e rrezikshmërie.