Vodhën furgonin e parkuar në Lezhë, përfundojnë në furgonin e policisë të arrestuar

Dy të rinj janë arrestuar në Lezhë, pasi kanë vjedhur një furgon.

Në pranga kanë rënë E. J., 19 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin dhe A. G., 17 vjeç, banues në Lezhë.

Ditën e djeshme (17 dhjetor) pronari i furgonit ka denoncuar se mjeti i tij është vjedhur nga vendi ku ai e kishte lënë të parkuar, në stacionin në kryqëzimin e Shëngjinit.

“Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi A. D. se në stacionin në kryqëzimin e Shëngjinit i kishin vjedhur mjetin tip furgon që e kishte lënë të parkuar, menjëherë shërbimet e Policisë të Komisariatit Lezhë kanë organizuar punën për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e mjetit”, njofton policia.

Policia ka arritur të lokalizojë furgonin dhe të arrestojë dy autorët vendin e quajtur “Kune”, Shëngjin, ndërkohë që është konstatuar se ata e drejtonin mjetin pa leje drejtimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.