Fytyrën e kujt ka policia e 'Këmbales' që kemi sot?!

Protestat e forta të të rinjve në kryeqytet që vazhduan për 6 ditë rresht, kishin 1001 arsye se përse ndodhën dhe reflektuan aq shumë zemërim.

U pa qartë se vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha, në mënyrën më absurde dhe antiligjore, ishte vetëm pika e fundit e ujit që u derdh në një gotë të mbushur plot.

Por ajo që u shfaq hapur ishte frustimi dhe revolta e akumuluar ndaj segmenteve të caktuara të Policisë së Shtetit e cila prej vitesh, me rast e pa rast, po shfaq arrogancën dhe frymën autoritare të kreut të qeverisë.

Edi Rama, kërkesës së protestuesve për largimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë Ardi Veliu, iu përgjigj me fjalë provokuese dhe të dhunshme: Edhe 500 mijë të mblidheni në shesh, Ardi Veliu nuk largohet!

Ky ishte një mesazh për të gjithë trupën policore, edhe pse një të riu të pafajshëm ju këput jeta në mes nga plumbat dhe dora e shtetit: Vazhdoni kështu, se unë nuk iu lëshoj çfarëdo që të bëni!

Gjatë viteve 2014-2015 kur Ardi Veliu ishte Zëvendësdrejtor për Sigurinë në Drejtoria e Policisë, Tiranë, vartësit i kishin vënë pseudonimin “Këmbalja”. Kjo sepse taktikat, fryma që përcillte për policinë e rendit në komunitet, ishin ushtarake. Krejtësisht e kundërta e asaj që kërkohet nga një polici e shtetit ligjor dhe perëndimor.

Qytetarët nuk janë armiq, as kur protestojnë dhe aq më pak kur ikin me vrap nga policë  të cilët në vend që të ndjekin dhe kapin kriminelët janë kthyer në taksidarë të kundërvajtjeve të pandemisë.

Por duket se pikërisht ky profil dhune i Ardi Veliut dhe shumë ndërlidhjeve të tjera ishin “merita” që e katapultuan atë në krye të Policisë, edhe pse u shkelën ligje të shumta.

Mënyra se si është drejtuar policia nën udhëheqjen e Ardi Veliut dhe si reflekton ajo te qytetarët, ngjan si dy pika uji me vijë-sjelljen e Edi Ramës në Partinë Socialiste, në qeveri, në parlament, me opozitën, me mediat kritike dhe madje, edhe me qytetarët e thjeshtë kur replikon në faqen e tij në FB.

Kjo dhunë e shtuar jo vetëm nëpër protestat e opozitës, shoqërisë civile dhe së fundmi mbi shpërthimet e fundit të rinisë pas vrasjes së Klodian Rashës, nuk erdhi rastësisht dhe as brenda ditës.

Problemi më i madh është se këtë rrugë ku është futur Policia e Shtetit, e nxit dhe e mbron vetë kreu i qeverisë.

Ajo që të frikëson për çfarë mund të ndodhë në vijimësi është se pas dhjetëra rasteve flagrante, jo vetëm që nuk ka reflektim brenda policisë, por përkundrazi jepet mesazhi se janë të mbrojtur.

Mjafton që t'u binden urdhrave për të bërë atë që bën te afera korruptive në tentativë te Astiri, te Teatri Kombëtarë, në protestat e opozitës dhe të kujtdo që mbledh më shumë se 10 veta kundër qeverisë.

Asnjë reflektim dhe marrje përgjegjësie për dhunën antiligjore, përdorimin pa kriter të gazit mbi çdo protestë anti-qeveritare e madje edhe mbi ata që mbrojnë shtëpitë e tyre.

Asnjë analizë dhe ndëshkim për funksionimin e segmenteve të policisë natën e ditën, si një bandë gangsterësh: pa kamera trupi, pa numër identifikues, shpesh pa uniforma, si janë rekrutuar, a janë të trajnuar dhe çfarë qasje kanë me krimin...

Asgjë nga këto, nuk vlen në policinë e Edi Ramës.

Shefat e saj me në krye, Ardi Veliun, i shohim të devotshëm dhe të papërmbajtshëm për të shtypur me dhunë, çdo grumbullim kundër një qeverie që kapet sistematikisht në korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Por janë në gjumë kur vjen puna për kapjen e kriminelëve të mëdhenj që trafikojnë drogë, hedhin beton pafund e organizojnë vrasje si në Meksikën e Escobarit.

Dhe ja ku jemi me një polici e drejtor të Përgjithshëm nën urdhrat direkte operacionale- politike të një individi që mendon e punon, vetëm për një gjë: Si të fitojë me çdo kusht dhe çdo mënyrë një mandate të tretë, në 25 prill 2021!